Bota Tech

OnlyFans: Kush është Leonid Radvinsky, pronari i pakapshëm i një perandorie pornografike që ndihmon luftën në Ukrainë?

Fitimet e OnlyFans janë rritur në qiell vitin e kaluar dhe lajmet se pronari i saj fitoi më shumë se 300 milion dollarë në dividentë ka ndezur pyetje të reja rreth manjatit të pornografisë. Por firma që është e regjistruar në Londër tha në gusht 2023 se fitimet para taksave për periudhën arritën në 525 milionë dollarë, nga 432 milionë dollarë një vit më parë.

Vetëm vitin e kaluar numri i krijuesve në OnlyFans u rrit me 47% në pothuajse 3.2 milionë, ndërsa numri i përdoruesve u rrit me 27% në afër 239 milionë. Leonid Radvinsky është pronari i platformës, një sipërmarrës ukrainas-amerikan 41-vjeçar me një vlerë neto të vlerësuar prej 2.1 miliardë dollarësh.

Ai e bleu kompaninë në vitin 2018 nga pronarët babë e bir, Guy dhe Tim Stokely, të cilët e kishin filluar atë dy vjet më parë me një investim prej 12,500 dollarë. Ai mendohet se ka paguar miliona dollarë për të. Por kush është ai dhe nga i kanë ardhur paratë?

Çfarë dimë për Leonid Radvinsky-n?!

E thënë troç, shumë pak. Pavarësisht premisave të platformës që zotëron, zoti Radvinsky zgjedh ta mbajë private jetën e tij personale. Nuk ka dhënë shumë intervista. Radvinsky nuk iu përgjigj kurrë një kërkese të BBC për intervistë dhe as kërkesave të herëpashershme të mediave të ndryshme.

Megjithatë, përkundër një neverie të dukshme ndaj publicitetit të vetes, ka të dhëna për jetën e tij në një profil të LinkedIn dhe një uebsajt personal. Sipas LinkedIn-it të tij, Radvinsky është një investitor i kapitalit sipërmarrës, filantrop dhe sipërmarrës teknologjik i cili ka “një interes të veçantë në platformat e reja të mediave sociale”.

Në faqen e tij të internetit, Radvinsky thotë se ai ka shpenzuar dy dekadat e fundit “duke ndërtuar kompani softuerësh dhe duke kontribuar në lëvizjen me kod të hapur“. Lindur në qytetin port ukrainas të Odesa-s, kompania e zotit Radvinsky dhuron herë pas here për të mbështetur luftën në Ukrainë duke përdorur kriptovaluta dhe vlera reale e dhurimit në vitin 2022 arriti në më shumë se 1.3 milion dollarë, sipas CoinDesk.

Një përfaqësues i OnlyFans tha për CoinDesk se “donacioni është një pjesë e përpjekjes së kompanisë për të mbështetur Ukrainën, të udhëhequr nga pronari ukrainas-amerikan i OnlyFans, Leonid Radvinsky.” Kompania thotë se tani ka dërguar mbi 5 milionë dollarë për përpjekje të ndryshme humanitare në mbështetje të vendit.

Radvinsky vetë thotë se ai dhuron “një sasi të madhe kohe, përpjekje dhe parash për qëllime jofitimprurëse”, si bamirësi dhe përpjekje teknologjike.” Jashtë programimit dhe filantropisë, ai “është një lexues i zjarrtë që është gjithmonë gati për një ndeshje shahu dhe është një pilot aspirues helikopteri,” shkruhet në uebfaqen e tij.

 Ku jeton ai?

Familja e tij u zhvendos në Shtetet e Bashkuara kur ai ishte fëmijë dhe ata u vendosën në Çikago, raportoi Daily Telegraph. Ai tani jeton në “Floridën me diell”, por ne nuk e dihet saktësisht se ku. Miliarderi përshkruhet nga Forbes si një burrë i martuar, por BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë identitetin e bashkëshortes së tij.

Historia e biznesit

OnlyFans nuk është biznesi i parë i zotit Radvinsky i lidhur me industrinë e pornografisë. Z. Radvinsky studioi ekonomi në Universitetin Northwestern, pranë Çikagos, Illinois, dhe u diplomua në vitin 2002. Që atëherë, sipërmarrësi ka hyrë në disa projekte.

Përpara se të bëhej aksioneri i vetëm i kompanisë mëmë të OnlyFans, Fenix, ai themeloi një biznes referimi në internet të quajtur Cybertania. Sipas Forbes, biznesi u ofroi përdoruesve lidhje me fjalëkalime për përmbajtje, duke përfshirë pornografinë, duke filluar nga fundi i viteve 1990-të. Para se të blinte OnlyFans, ai zotëronte gjithashtu edhe një biznes të suksesshëm për të rritur.