Aktualitet

Përfundon numërimi i votave në 39 bashki: 33 i fiton PS, 6 “BF”!

Nga 61 bashki që ka vendi, deri tani procesi i numërimit të votave ka përfunduar për 39 prej tyre për zgjedhjet vendore të një dite më parë. Në 33 kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste dhe në gjashtë të tjera, Himarë, Pukë, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Has e Mirditë, ata të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Berishës dhe Metës.  Kandidatët e tyre humbën në vendlindjet respektive Tropojë e Skrapar.

Ndërkohë, u ndërpre përkohësisht procesi i numërimit në Finiq pasi një numërues nuk është ndjerë mirë e ka humbur ndjenjat. Për pasojë u rrëzua, duke marrë dhe dëmtime. Në këtë bashki në jug të vendit, rezultati paraqitet i ngushtë. Deri tani janë numëruar 36 kuti nga 50 gjithsej dhe kryeson Romeo Çakuli i partisë MEGA me 39.73% të votave. Pas tij është Leonidha Hristo i “BF” me 30.55 e Leonidha Papa i PS me 29.72%.

Në bashkitë Tiranë, Durrës e Shkodër ku vazhdon procesi i numërimit, Erion Veliaj, Emiriana Sako dhe Benet Beci vetëm thellojnë diferencën me rivalët e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ndërsa Veliaj po shkon drejt mandatit të tretë dhe Sako ecën e sigurt drejt rikonfimimit në Durrës, Beci ka 10 mijë vota më shumë se Bardh Spahija në Shkodër. Deri tani vazhdon të rritet numri i bashkive për të cilat ka përfunduar numërimi i votave, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Edhe Matin e Kuçovën i mori PS-ja.

Në një kohë kur Benet Beci është drejt fitores me një diferencë të thellë prej gati 10 mijë votash, kryeministri Edi Rama ka një mesazh për shkodranët dhe shkruan:

Nadja e mir o Shkodër që krejt zemrën ma ke hangër…