Aktualitet

Zgjedhjet vendore 2023, sot Shqipëria voton!

Sot zhvillohen zgjedhjet vendore në 61 bashki të Shqipërisë. Këto votime u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike me Partinë Demokratike të përçarë mes Rithemelimit të Sali Berishës që ka bashkuar forcat me partitë e Ilir Metës, Vangjel Dules e Nard Ndokës në Koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe PD-së zyrtare me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn. Përballë janë socialistët që të vetëm kërkojnë rikonfirmim në pjesën më të madhe të bashkive. Qendrat e votimit hapen në 07:00 të mëngjesit.

Votimet u paraprinë nga fenomeni i vjetër i shit-blerjes së votës që dy ditë më parë kulmoi me arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri.

Nga 61 bashki, në tre prej tyre, Vorë, Kamëz e Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik e rezultati  pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.

Këtë 14 maj janë 3 milion e 650 mijë e 550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122 mijë e 545 rezultojnë votues për herë të parë.

Sipas informacioneve janë 5 mijë e 211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin. Janë 2 mijë e 795 votues në 15 Qendra Votimi të posaçme në institucionet e ekzekutimit të veprave penale.

44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga te cilat 38 janë jashtë koalicioneve. Dy koalicione janë në zgjedhje, “Bashkë Fitojmë” me kryetar Ilir Metën dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” me kryetar Artur Roshin.

Këtë të diel garojnë 144 kandidatë për kryetarë Bashkie, ndërsa për këshilla bashkiakë garojnë 23.762 kandidatë. Votimi dhe numërimi elektronik do të zbatohet në tre bashki me 401 qendra votimi.

Në Elbasan janë 224 qendra votimi dhe pritet të votojnë 171.225 qytetarë. Në Kamëz janë 133 qendra votimi dhe pritet të votojnë 108.799 qytetarë. Në Vorë janë 44 qendra votimi dhe pritet të votojnë 30.822 qytetarë.