Bota

Përmbytjet në Gjermani, 103 viktima e 1.300 të zhdukur!

Sa vjen e merr përmasa edhe më tragjike situata e përmbytjeve në Gjermani nga shirat intensivë. 1 mijë e 300 persona ende rezultojnë të zhdukur ndërsa të paktën 103 janë viktimat e konfirmuara: 60 në Rheinland-Pfalz e 43 në Nordrhein-Westfalen.  Nga Uashingtoni, kancelarja Angela Merkel u shpreh se vetëm në ditët e ardhshme do të shohin përmasat reale të kësaj tragjedie.

Qeveria nuk do t’ju lërë vetëm në këtë moment të vështirë e të tmerrshëm! Ju siguroj lidhur me ndihmën për shpëtimin nga pasojat e rindërtimin!

Ahrweiler është zona me numrin më të madh të personave që ende nuk gjenden. Gjithashtu, një zëdhënës i administratës lokale sqaroi se moti i keq ka shkaktuar probleme të panumërta në rrjetin e telefonisë së lëvizshme duke e bërë të pamundur kontaktin me shumë njerëz.

Fatkeqësisht, mes viktimave në Gjermani janë edhe 9 vetë me aftësi të kufizuar. Skuadrat e shpëtimit nuk arritën t’i evakuonin në kohë në një institut në Rhineland-Palatinate ku vërshuan ujërat.

Për Ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, nuk ka dyshime se kjo që po ndodh është pasojë e ndryshimeve të klimës. Ashtu si kancelarja Merkel edhe Seehofer premtoi ndihmë për zonat e goditura ndërsa kërkoi t’i jepet hov politikave të lidhura me mjedisin.

Pasojave të motit të keq me shira të rrëmbyer nuk iu shpëtuan as vendet e BENELUKS-it ku padyshim Belgjika është më e goditura.

Në shtetin belg, mediat po raportojnë 22 viktima ndërsa u bënë evakuime. Mbi 20 mijë vetë kanë mbetur pa energji elektrike. Belgjika po kalon gjendje shoku për fenomenin që mediat e cilësojnë me përmasa historike. Nga qyteti Verviers pamjet tregojnë për makina që rrëmbehen nga ujërat në rrugë.