Rajoni

Gjermania kërkon pranim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE!

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për pranimin e shpejtë në Bashkimin Europian të vendeve kandidate për anëtarësim në Ballkanin Perëndimor ndërsa blloku europian shënon 20-vjetorin e zgjerimit të tij me 10 shtete, çka ndodhi në vitin 2004. Në një opinion të botuar enkas për të shënuar këtë përvjetor jubilar, shefja e diplomacisë së Berlinit shprehet kundër rrezikut nga “zonat gri politike e gjeografike”.

Zonat gri politike dhe gjeografike në Ballkan ose në lindje të Bashkimit Europian janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne nuk mund të përballojmë të tilla zona gri sepse për presidentin rus Vladimir Putin, ato janë dhe një ftesë për të ndërhyrë e po ashtu për të destabilizuar.

Artikulli, të cilin DPA-ja e siguroi edhe më përpara se të botohej, sot do të publikohet në Lituani, Letoni, Rumani e në Greqi. Kujtojmë se 20 vjet më parë ishin Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe Qipro vendet që u pranuan në Bashkimin Europian më 1 maj të 2004-ës. Kryediplomatja Baerbock thekson se nuk duhen lejuar pritjet e gjata e sjell shembullin e asaj që ndodh me vendet e Ballkanit.

Ne e dimë të paktën që nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, prej mbi dy vitesh se zgjerimi i BE-së sonë sot, gjithashtu është një domosdoshmëri gjeopolitike. Ashtu si 20 vjet më parë, miliona europianë po shohin një mundësi dhe premtim për t’u bërë qytetarë të BE-së. Ne nuk mund të lejojmë që një brez tjetër i tërë të lëngojë përsëri në dhomën e pritjes së Unionit, ashtu siç është rasti me Ballkanin Perëndimor.

Ne nuk duhet të humbim mundësinë për ta bërë bashkimin tonë më të madh e më të fortë e për këtë arsye, edhe më të sigurt. Brezi i raundit të zgjerimit të vitit 2004 duhej të merrte guximin për të mos u lëkundur nga erërat e kundërta dhe parullat populiste.

Tani, brezi ynë është përballur me detyrën për të mbrojtur e forcuar projektin europian të paqes e të lirisë, edhe nëse kushton një sasi të jashtëzakonshme energjie. Reformat janë të nevojshme që një gjë e tillë të mund që të ketë sukses.