Sociale

Pijet e ndaluara për fëmijët/ Mjekët kërkojnë kujdes: Larg fëmijët nga pijet energjike

Konsumimi i pijeve energjike nga fëmijët e vegjël është kthyer në një problem shumë shqetësues, japin alarmin mjekët pediatër.

Në qendrën shëndetësore numër 2 në Tiranë, rasti më i fundit ishte një fëmijë pesë vjeç, që pasi kishte konsumuar pije energjike, përjetoi probleme me frymëmarrjen ose takikardi.

“Te ne janë drejtuar fëmijë 6-7 vjeç, që kishin konsumuar pije energjike, të para kryesisht nga interneti, TikTok, rrjetet sociale dhe kanë ardhur me disa problematike, që nga probleme me qarkullimin e zemrës, ankth, vështirësi në frymëmarrje. Një pije energjike përmban deri në 500 sasi kafeinë, që është e barabartë me 18 kanoçe Coca Cola. Sjell probleme dhe në mëlçi, në traktin urinar”, shpjegon Sonila Brati, mjeke pediatre në QSH 2.

Por, çfarë qëndrimi mbajnë prindërit në këto raste?

“Prindërit, përgjithësisht janë ata vetë ua blejnë, pa e ditur që e dëmtojnë fëmijën. Prindërit ndjejnë pastaj një lloj faji”, thotë Brati.

Ajo tregon se raste të shtuara kanë qenë gjatë sezonit veror, ndërsa në disa raste, të fëmijët problemet kanë zgjatur deri në dy javë.