Aktualitet

Prioritetet e Taulant Ballës ministër i Brendshëm, i prerë me Policinë: Arrestoni djalin e vëllanë e Rrahman Rrajës!

Në të parin takim me vartës si ministër i Brendshëm, sot Taulant Balla komunikoi prioritetet e detyrës së tij në krye të dikasterit. Drejtuesve të policisë iu dha porosi të qarta për të mos toleruar deputetët që iu ndërhyjnë e në rast se po, t’i raportojnë emrat te ai.

Secilit prej jush, unë do t’i jap mundësinë që të punojmë të gjithë së bashku. Në të shkuarën ka ndodhur që para’ardhës e kanë nisur detyrën duke ndërruar drejtues e shefa. Unë nuk e shoh të udhës që të gjykoj njërin prej jush nga lartësia e detyrës sime.

Jam këtu për t’ju udhëhequr, për t’ju mbështetur e duke dëgjuar prej jush. Natyrisht, fakti që e marr stafetën nga një koleg e shok i imi, i njohur për seriozitetin dhe korrektesën e tij, ma bën më të lehtë se sikur të më duhej të nisja nga e para.

Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë, në vijën e këtij fronti të përbashkët do të ketë mbështetjen time pa rezerva. Kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të punuar së bashku, për të shkuar përtej vetes do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.

Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj. Kushdo deputet që ndërhyn te ju, nuk do të mund të ketë asnjë tolerim. Ju keni detyrën t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej çdo deputeti, por për çdo rast që ndërhyn në kryerjen e detyrës, deputetin drejtojeni te unë. Ndërhyrja është e paparanueshme.

Ministri Balla kritikoi policinë për faktin që ende nuk janë arrestuar djali dhe vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja

Në takimin e parë që zhvillova me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte arrestimi i vëllait dhe djalit të ish-deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku e ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai u  vetëndëshkua moralisht, por policia ende nuk ka bërë detyrën për të ndëshkuar dy individët që kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Unë nuk do të çedoj në asnjë rast për masat që do të ndërmerren për cënim të këtij standardi. Arrestoni Rexhep Rrajën!

Po ashtu, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se që nga nesër do të hapet aplikimi për 100 banesat e para për punonjësit e Policisë që jetojnë jashtë zonës së vendbanimit të tyre. Balla vuri theksin te mbështetja financiare dhe ajo për strehimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.