Aktualitet Politikë

Projektbuxheti 2024 te komisionet parlamentare, opozita vazhdon bllokimet/Mbledhje online!

Projektbuxheti 2024 në fokus të punimeve të komisioneve parlamentare, por në Kuvend, nuk ka qetësi për shkak të aksionit më të fundit të ndërmarrë nga opozita për të mos lejuar normalitet, nëse nuk iu plotësohen kërkesat.  Te Ekonomia, Ligjet, Shëndetësia, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese, kryefjalë projekt-buxheti i vitit të ardhshëm.

Demokratët e afërt me Berishën e Bardhin kërkojnë mospërfshirje të Partisë Socialiste në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD-së, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Java që lamë pas u shënua nga tensione të forta në sallën e seancave plenare e në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Nuk munguan as përplasjet fizike, si e 30 tetorit mes deputetëve Bledjon Nallbati e Vullnet Sinaj dhe që po hetohet nga SPAK-u. Opozita ka paralajmëruar se reagimi do të përshkallëzohet.

Socialistët kanë edhe skenarin “B”, që mbledhjet t’i bëjnë online, ndonëse kjo formë parashikohet vetëm në situata të jashtëzakonshme. Komisioni i Ekonomisë njoftoi mbledhje online.

Mësohet se Gazment Bardhi ka thirrur deputetët në një mbledhje në orën 10 e 30 minuta, në Kryesinë e kuvendit. Për shkak të përplasjeve, janë 8 ligjvënës të opozitës, të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Të premten u përjashtuan me 10 ditë, Ervin Salianji që ndezi tymuese në seancën plenare të 2 nëntorit, si edhe Petrit Doda e Edmond Spaho. Kujtojmë se pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.

Sali Berisha nuk është mes të përjashtuarve. Por, në lidhje me hetimet për korrupsion pasiv në privatizimin e klubit sportiv Partizani në Tiranë, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, GJKKO i ka caktuar detyrimin për t’u paraqitur çdo të hënë të parë e të tretë të muajit dhe sot duhet të shkojë në orën 10:00. Por, Berisha e ka bërë të qartë refuzimin e tij për t’iu përmbajtur vendimit.