Bota

Protestat pro-palestineze, Universiteti i Kalifornisë Jugore anulon ceremoninë e diplomimit!

Universiteti i Kalifornisë Jugore njoftoi se këtë vit anuloi ceremoninë kryesore të diplomimit për shkak të masave të sigurisë si pasojë e protestave kundër luftës në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Ne nuk do të jemi në gjendje ta organizojmë ceremoninë kryesore që tradicionalisht bën së bashku 65 mijë studentë, familje e miq në kampusin tonë, në të njëjtën kohë.

Lufta në Gaza nxiti tensionet në kampuset e kolegjeve amerikane, me studentë që kanë ngritur kampe protestuese në gjithë vendin, ditët e fundit. Qindra protestues janë arrestuar, përfshirë më shumë se 90 në Universitetin e Kalifornisë Jugore, dy ditë më parë.

Disa universitete i kanë bërë thirrje policisë t’i shpërndajë protestuesit ndërsa të tjerat kanë vendosur të presin përfundimin e protestave, pasi viti akademik është drejt përfundimit.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza nisi më 7 tetor 2023 kur pjesëtarët e këtij grupi palestinez hynë vrullshëm në jug të Izraelit dhe vranë rreth 1 mijë e 200 persona kryesisht civilë, si dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë, dy të tretat fëmijë dhe gra, referuar zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Presidenti Biden dhe drejtues të 17 vendeve, me shtetas të tyre që mbahen peng nga Hamasi, po kërkojnë që grupi militant palestinez të pranojë një marrëveshje të propozuar me Izraelin. “Akordi mundëson një armëpushim të menjëhershëm, lehtëson rritjen e ndihmave humanitare për Gazën e çon në përfundimin e luftimeve”, thuhet në një deklaratë.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson kërkoi dorëheqjen e presidentes të Universitetit “Columbia”, Minouche Shafik, gjatë një vizite të para dy ditëve në këtë universitet. Më 23 prill, lideri i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Hakeem Jeffries dënoi të gjitha format e antisemitizmit dhe kërkoi forcimin e përpjekjeve për të bashkuar komunitetet.

Pas fjalimit me rastin e Ditës së Tokës të hënën, presidenti Joe Biden iu tha gazetarëve se ai dënon protestat antisemite e siç theksoi “ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët”.

Një eksperte për çështjet fetare dhe konfliktet thotë se institucionet akademike kanë nevojë për vende ku studentët të kenë mundësi për diskutime domethënëse.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për palët e përfshira dhe të kuptojmë se ka disa çështje në lidhje me drejtësinë që bashkojnë hebrenjtë, palestinezët myslimanë e studentët e krishterë. Çështja është se ka një keqkuptim të thellë se çfarë është dhe si përkufizohet antisemitizmi.