Aktualitet Politikë

PS-PD i rikthehen Reformës në Drejtësi, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve

Ekspertët e BE-së hedhin poshtë një pjesë të propozimeve të grupit të punës – të përbërë nga mazhoranca dhe opozita, që synon të arnojë ligjet e Reformës në Drejtësi.

Mazhoranca dhe opozita pritet të rikthejnë për diskutim rishikimin e Reformës në Drejtësi pasi grupi i punës i ngritur për këtë qëllim ka gati një paketë propozimesh që prekin ligjet që organizojnë sistemin e drejtësisë.

Grupi i punës i përbërë nga deputetë anëtarë të komisionit të Ligjeve nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike e ndërpreu diskutimin për këto ndryshime në korrik 2023,  pasi shumë prej propozimeve të tyre fillestare u kundërshtuan nga ekspertëve të EU-JUST dhe OPDAT – dy misionet për ndihmë ligjore të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, pasi partnerët kanë dërguar rekomandimet finale bazuar dhe në raportin “screening” të Komisionit Europian për ligjet e reformës në drejtësi, diskutimi pritet të rinisë javën që vjen.

Këtë e konfirmoi për BIRN kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

“Do mblidhet grupi teknik me ekspertët javën tjetër e do vendosim si do të ecim”, tha ajo të mërkurën.

Bushka nuk komentoi për procesin duke e cilësuar më shumë teknik, ndërsa riktheksoi qëndrimin e mbajtur në shtator 2022, kur ky grup pune u krijua, se ndryshimet nuk do të prekin thelbin e ligjeve por synojnë përmirësimin e efiçencës së organeve të drejtësisë.

Procesi i nisur me kërkesën e krerëve të institucioneve të drejtësisë u ndërpre në korrik pasi ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT – dy misionet për ndihmë ligjore të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i rrëzuan në shumicën e tyre propozimet e deputetëve.

Projekt-amendamentet finale të deputetëve propozojnë ndërhyrje në ligjin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligjin për Qeverisjen, ligjin për Pushtetin Gjyqësor, ligjin për SPAK dhe ligjin për Prokurorinë.

Rekomandimet finale të ekspertëve të EU-JUST, të cilat BIRN i disponon, sugjerojnë  ‘rishikim’ në shumicën e e këtyre amendamenteve, duke u bazuar edhe përputhshmërinë e tyre me gjetjet e raportit “screening” të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe me ruajtjen e standardeve të vendosura në reformën në drejtësi.

Komentet lidhen me ndryshimet ligjore që prekin kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, rekrutimin e jo-magjistratëve në ILD dhe në SPAK, kriteret e karrierës për anëtarët e këshillave, funksionimin e Shkollës së Magjistraturës, etj..

Rekomandohet ruajtja e standardeve të reformës

Reforma në Drejtësi u miratua në vitin 2016 me konsensus politik, por pas 8 vitesh, organet e reja të drejtësisë vijojnë të kenë problematika me funksionimin e tyre të plotë dhe të plotësimit të vakancave me gjyqtarë e prokurorë për shkak të procesit të vetingut.

Grupi i Punës i ngritur në vitin 2022 nga Komisioni Ligjeve përbëhet nga 3 deputetë të PS-së, Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxhi si dhe 2 deputetët demokratë, Gazmend Bardhi dhe Dhurata Çupi.

Rekomandimet e ekspertëve të ‘EU-Just’ prekin disa nene në ligje të ndryshme, që janë propozuar për të amenduar nga grupi i punës, përfshirë ngritjen në detyrë të magjistratëve.

Ligji në fuqi nuk i lejon transferimet paralele të anëtarëve, por KLGJ dhe KLP në kundërshtim me ndalimet ligjore, kanë marrë disa vendime për transferimin e anëtarëve të tyre nga gjykatat e rretheve në Tiranë.

Të dy këshillat kërkuan nga Kuvendi që të ulet kohëzgjatja për promovin e anëtarëve dhe ndryshimi i ndalimit për transferimet paralele.

Sipas ekspertëve të BE-së riformulimi i bërë nga Grupi i Punës nuk parashikon një renditje të qartë të kritereve që duhet të merren parasysh për ngritjen në detyrë dhe për këtë arsye mund të konsiderohen rastësisht si bazë për vendimin për ngritje në detyrë”.

“Kritere të tilla duhet të parashikohen në ligj në mënyrë që ato jo vetëm të varen nga vendimet e Këshillit, por të vendosin një garanci për karrierën gjyqësore, siç rekomandohet edhe nga KiE”- sugjerojnë ata.

Të dy këshillat kërkuan nga Kuvendi që të ulet kohëzgjatja për promovin e anëtarëve dhe ndryshimi i ndalimit për transferimet paralele. Ligji në fuqi nuk i lejon transferimet paralele të anëtarëve, por KLGJ dhe KLP në kundërshtim me ndalimet ligjore, kanë marrë disa vendime për transferimin e anëtarëve të tyre nga gjykatat e rretheve në Tiranë.

Sipas ekspertëve të BE-së riformulimi i bërë nga Grupi i Punës “nuk parashikon një renditje të qartë të kritereve që duhet të merren parasysh për ngritjen në detyrë dhe për këtë arsye mund të konsiderohen rastësisht si bazë për vendimin për ngritje në detyrë”.

“Kritere të tilla duhet të parashikohen në ligj në mënyrë që ato jo vetëm të varen nga vendimet e Këshillit, por të vendosin një garanci për karrierën gjyqësore, siç rekomandohet edhe nga KiE”- sugjerojnë ata.

Ndërkohë në amendamentet që rregullojnë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillave që vijnë nga radhët e pedagogëve, ekspertët kërkojnë përforcim të kritereve dhe ruajtjen e standardit për vetingut të pasurisë dhe figurës për kandidatët.

“Kjo do të kërkonte një rishikim të Ligjit të Qeverisjes për anëtarët jo-magjistratë të këshillave, për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë si dhe Ligjin e Statusit për magjistratët”- konstatojnë ekspertët, duke shtuar se “ndryshimet e propozuara e trajtojnë këtë çështje vetëm pjesërisht.

Ekspertët mbështesin ndërkohë ndryshimet në ligj që do të rregullonin kompetencat e Prokurorit ë  Përgjithshëm në menaxhimin e administratës së prokurorive, në përputhje me parashikimet kushtetuese.

“Prandaj, dhënia e kompetencës së KLP-së për të marrë vendime për zyrtarët e prokurorive rrezikon të mos jetë në përputhje me Kushtetutën”-thuhet në dokument, duke sugjeruar që për ta sjellë në përputhje me Kushtetutën të bëhen ndryshime në dispozita të tjera të ligjit për organet e qeverisjes dhe ligjit për Prokurorinë.

Por, nga ana tjetër ata nuk këshillojnë ndryshimin ligjor që lidhet me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës ose mbylljen e hetimit ndaj një anëtari të KLP-së.

Sipas ekspertëve, ky propozim “synon të kufizojë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në sjelljet e pahijshme disiplinore të anëtarëve të Këshillit”.

Në lidhje me rekrutimin e inspektorëve të rinj, proces për të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë është ankuar para Kuvendit se po has në vështirësi, ekspertët e EU-JUST rekomandojnë disa opsione për të tërhequr aplikimet e magjistratëve me skemë e përshtatshme pagash dhe rritje në karrierë, ose inkurajimin e magjistratëve me me reputacion shumë të lartë për të shërbyer për një kohë të caktuar si “akullthyes” për magjistratët e tjerë.

Ekspertët e BE-së sugjerojnë gjithashtu që ndryshimet në mënyrën e funksionimit të Shkollës së Magjistraturës të garantojnë që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu të mos rikthehen si pedagogë.

“Duhet të futen ndryshime legjislative për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish-magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vetingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve”-citohet raporti screening i KE-së.

Trajnimi i këshilltarëve ligjorë rekomandohet që të bëhet sipas standardeve të BE-së, ndërsa pranohet se shtimi i stafit është i nevojshëm për uljen e ngarkesës në gjykata.

Po ashtu ekspertët shohin me vend dispozitat për krijimin e një grupi këshilltarësh ligjore pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, por kërkojnë që edhe ata ti nënshtrohen kritereve të monitorimit dhe trajnimit si pjesa tjetër e stafit të këtij institucioni.

Kuvendi vendosi që të nisë një proces rishikimi të ligjeve të reformës pas kërkesave të institucioneve të drejtësisë që synonin më shumë privilegje, si zgjatje mandati, zgjerim kompetencash, më pak mbikëqyrje si dhe garanci pas përfundimit të detyrës.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht në korrik 2016 një paketë të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i hapën rrugën ngritjes së një sistemi të ri të drejtësisë në vend./ BIRN