Aktualitet

Rama në Malësi të Madhe: Të vazhdojë kthesa që ka marrë veriu/Kundër zërave se bën dallim veri-jug!

Për fushatën e gjelbër, PS u ndal në Malësi të Madhe. Kryesocialisti Rama hodhi poshtë zërat se bën dallim mes veriut dhe jugut. Sipas tij, “duhet të vazhdojë kthesa që ka marrë veriu”. I sigurt për një rezultat pozitiv në zonën e Malësisë së Madhe, Rama foli për Bashkinë e Shkodrës. Kryeministri u shpreh se pavarësisht investimeve që janë në dorë të qeverisë, në brendësi të qytetit nuk mund të ndërhyjë pasi bashkia nxjerr pengesa. Mes tyre përmendi vitet që do të duhen për dhënien e lejes së ndërtimit për ribërjen e Kafes së Madhe.

Ne për Shkodrën kemi bërë më shumë se çfarë kanë bërë ata. Rrugën Shkodër-Velipojë, rrugën në Theth, stadiumin… kush e bëri? Urën që lidh Velipojën me Shëngjinin, po e bëjmë ne apo ata? Të gjitha këto varen nga ne, nuk pyesim bashkinë.

Kam që kur kam vajtur për Shkodër për herë të parë si ministër i Kulturës që kam dashur të kem mundësinë për të ribërë Kafen e Madhe. Sot Kafja e Madhe është gati për t’u ribërë dhe kushedi sa vite shkojnë për leje dhe budalliqe.

Shkodrën në qytet nuk kemi çfarë bëjmë fare se nuk kemi si të hyjmë aty. Eshtë i vetmi stadium në botë që përballë tribunës VIP ka lavazhe e ofiçina që as nuk i prishën për të liruar sheshin para stadiumit.

Rama u shfaq i ashpër për retorikën e kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për të cilin tha se “fryn përçarje fetare”. Për të, kjo duhet të jetë arsyeja kryesore që “malësorët të kenë sy” vetëm për rizgjedhjen e Tonin Marinajt.

Dëgjova se këtu ka një kandidat që i fryn përçarjes fetare. Vetëm për këtë arsye atij nuk i duhet më dhënë asnjë votë. Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të mëdha të historisë sonë, figura të mëdha të komunitetit katolik e mysliman, por nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare. Përkundrazi, prej tyre kemi mësuar se shqiptarët janë një dhe katolikët e myslimanët.

Unë jam katolik, gruaja myslimane, dy fëmijët nga martesat e para janë ortodoksë dhe i vogli do e vendosë vetë.  Nuk ka poshtërsi më të madhe se sa të flasësh shqip e t’u thuash njerëzve: ndahuni në myslimanë dhe katolikë!

Për të nxitur turizmin në Malësinë e Madhe e për vazhdimësinë e investimeve, Rama kërkoi votën e malësorëve.