Rajoni

Raporti për dezinformatat: Rusia po synon të nxisë luftë në Kosovë!

“Kosova, e ekspozuar ndaj dezinformatave që vijnë nga Rusia e Kina. Ato synojnë të nxisin luftë ndëretnike e ndërfetare, të kriminalizojnë NATO-n, të ulin besimin e shoqërisë te integrimet euroatlantike, si dhe ta shfaqin Amerikën si shembull të keq”. Këto janë gjetjet kryesore të raportit “Vorbulla e rrenave”, i hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Ky dokument është publikuar pak kohë pas paralajmërimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se “Rusia po synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

BE-ja ka ndarë këtë shqetësim të Ukrainës, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i thanë Radios Evropa e Lirë se “ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike”. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.

Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, foli më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Europian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.

Sa i përket angazhimit kinez në Kosovë, sipas raportit, “pika e parë është promovimi i Shteteve të Bashkuara si diçka e keqe dhe si vend që ka kriminalitet të lartë e probleme me sundimin e ligjit”.

Pika e dytë është promovimi i informacioneve rreth shëndetësisë në Kinë, ndërsa e treta, promovimi i Kinës si vend i zhvilluar, prodhimet e së cilit duhet të blihen.

Sipas raportit, “mediat në Kosovë nuk kanë standarde për trajtimin e informacioneve kineze”. Dokumenti me 102 faqe, tregon edhe për synimin e nxitjes së dhunës e urrejtjes midis komuniteteve fetare në Kosovë.

Raporti identifikon që Kosova është e brishtë dhe nuk ka kapacitete për t’u përballur me dezinformata të cilat vijnë nga Rusia. Gjatë prezantimit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, deklaroi se “Kosova është e prekur nga ndikimi i jashtëm dhe propaganda, që synojnë të pengojnë integrimet drejt bllokut europian”.

Raporti tregon se Kosova është e prekur nga ndikimi i jashtëm dhe nga propaganda kundër integrimit e që gjerësisht synojnë të pengojnë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. E dimë që shumica e qytetarëve të Kosovës janë në favor të integrimit të vendit në BE, mbi 90% e ne jemi mirënjohës. Ne duhet të ruajmë këto shifra!