Bota

Reforma e pensioneve në Francë, Këshilli Kushtetues i thotë “JO” kërkesës për referendum!

Kushtetuesja e Francës refuzon kërkesën për referendum lidhur me reformën për pensione. Në këtë vend, organi më i lartë kushtetues hodhi poshtë përpjekjen e fundit të opozitës për ta zhbërë reformën e presidentit Emmanuel Macron, për ta rritur nga 62 në 64-vjeç, moshën e daljes në pension. Kushtetuesja tha se kërkesa për referendum nuk i plotësonte kriteret e nevojshme.

Hera e dytë që Këshilli Kushtetues hedh poshtë planin për ta rikthyer në 62-vjeç moshën e daljes në pension, përmes një referendumi të mundshëm ose një projektligji të ri. Nëse miratohej kërkesa, procesi do të ishte i gjatë e nuk do ta ndalte hyrjen në fuqi të ligjit të Macronit.

Këshilli Kushtetues vendosi se referendumi i propozuar nuk trajton një reformë në politikat sociale, ndaj gjykon se nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në Kushtetutën e Francës.

Anëtarët e opozitës, kryesisht nga krahu i majtë, donin të nisnin një proces kompleks, me shpresën për ta kundërshtuar ligjin e pensioneve të Macronit, që u miratua muajin e kaluar pavarësisht protestave të vazhdueshme në mbarë Francën.

Roli i Këshillit Kushtetues ishte të vlerësonte nëse kërkesa e opozitës plotëson kushtet ligjore për një referendum të mundshëm. Nëse pranohej, mbështetësit do të kishin nëntë muaj kohë për të mbledhur nënshkrime nga të paktën 4.8 milion njerëz apo 10% e votuesve francezë.

Më pas, qeveria e Macronit duhej të zgjidhte mes dy opsioneve: dërgimit të dokumentit të opozitës në Parlament për debat e më vonë për votim ose të priste gjashtë muaj, për t’ua lënë votuesve në dorë përmes një referendumi. Propozimi do të çonte drejt një referendumi vetëm nëse nuk debatohej nga ligjvënësit.

Këshilli Kushtetues hodhi poshtë një propozim të ngjashëm edhe në prill. Autorët e ribënë kërkesën pasi shtuan se nevojitet ndryshim në financimin e sistemit të pensioneve të Francës. Kjo procedurë e krijuar në vitin 2015, nuk ka çuar në asnjë referendum.