Celebrities Gossip Lifestyle Showbiz

Regjisori i njohur Quentin Tarantino së shpejti baba për herë të dytë!

Regjisori i njohur Quentin Tarantino pritet të bëhet sërish baba. 58-vjeçari dhe bashkëshortja Daniella Pick janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë. Çifti ka një djalë, Leo, i cili do të mbushë 2 vjeç në fund të këtij muaji. Tarantino dhe Pick, vajza e legjendës së muzikës izraelite Svika Pick, u martuan në vitin 2018 në shtëpinë e tyre në Beverly Hills, Kaliforni.

Djali i tyre Leo ka lindur disa ditë para fillimit zyrtar të pandemisë COVID-19. Tarantino dhe Pick u takuan për herë të parë në vitin 2009, në turneun e promovimit të “Inglourious Bastards” dhe u fejuan zyrtarisht në qershor 2017, pasi u frekuentuan për një vit.

Ndërkaq sjellim në vëmendje se regjisori, skenaristi dhe producenti i njohur kur ishte fëmijë u zotua që të mos i jepte të ëmës asnjë qindarkë pasi të bëhej i suksesshëm, sepse dyshohet se ajo e ka dekurajuar karrierën e tij. Në një intervistë me Brian Koppelman, Tarantino u shpreh se nisi të shkruante skenarë që në shkollë fillore, por futej në telashe me mësuesit, të cilët e shihnin shkrimin si një akt rebelimi për të mos u marrë me detyrat e shkollës.

Regjisori i famshëm mendohet se e shkroi skenarin e parë të quajtur “Captain Peachfuzz and the Anchovy Bandit” kur ishte vetëm 12 vjeç. Gjatë intervistës, ai rrëfeu se kishte probleme me notat në shkollë dhe kishte një marrëdhënie jo të mirë më të ëmën për shkak të mësimeve.

Njëherë po më bërtiste dhe pastaj më tha: “Oh, meqë ra fjala, kjo ‘karriera e vogël e shkrimit’…kjo ‘karriera e shkrimit’ që po merresh? Ky budallallëk ka marrë fund.” Dhe kur ma tha në mënyrë sarkastike, mendova: “Mirë, zonjë. Kur të bëhem një skenarist i suksesshëm, ti nuk do të marrësh asnjë qindarkë nga suksesi im. Nuk do të kesh shtëpi. Nuk do të kesh pushime. Nuk do të ketë Elvis Cadillac për mamin. Nuk do të marrësh asgjë. Sepse ti the këtë gjë.”