Aktualitet

Riaktivizohet zjarri në Lushnjë! Vatra mbi qendrën tregtare, zona pushtohet sërish nga tymi!

Vatra e zjarrit në godinën në Lushnjë është riaktivizuar pas disa orësh.

Kësaj radhe zjarri është rindezur mbi zonën e qendrës tregtare. Në pamjet e siguruara nga Top Channel ndërtesa është pushtuar sërish nga flakët dhe tymi.

Kësaj here zjarri ka përfshirë tarracën e qendrës tregtare ku ndodhet dhe një lokal veror, ku janë djegur pjesa e dyshemesë dhe disa pemë.

Në asnjë nga godinat nuk ka banorë, ndërsa policia ka rrethuar me perimetër sigurie zonën. Po punohet me forca të shumta zjarrfikëse për të minimizuar flakët.

Kujtojmë se dhjetëra qytetarë përjetuan momente tmerri kur një zjarr i rënë në katin e tretë të një qendre tregtare në Lushnjë u përhap me shpejtësi në apartamentet sipër tij rreth orës 14: 40.

Zjarrfikës, forcat RENEA dhe ato policore u angazhuan për disa orë me qëllim shuarjen e flakëve në pallatin 12 katësh dhe kërkimin për qytetarë të bllokuar në banesa.

Dyshimet e para për shkakun e zjarrit janë mbingarkesa e kondicionerëve, pasi qendra tregtare ishte e mbipopulluar nga dyndja për festën e Krishtlindjes.