Tech

Risia e re e Facebook, nga sot e tutje miqtë tuaj do të njoftohen nëse bëni ‘screenshot’!

Së fundmi, shefi i Facebook, Mark Zuckerberg ka paralajmëruar përdoruesit e Messenger që të mos përdorin opsionin ‘screenshot’ në biseda sepse miqtë e tyre do të njoftohen. Facebook ka lajmëruar se do të ketë një sërë përditësimesh pas aktivizimit të bisedave të koduara në Messenger, njësoj si në WhatsApp.

Zuckerberg thotë se përdoruesit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj risive të ardhshme. Nëse një përdorues shkrep foto të mesazheve që zhduken automatikisht pas 24 orësh, bashkëbiseduesi do të lajmërohet. Pra, nëse dikush ju dërgon një mesazh që nuk dëshiron të ruhet dhe ju bëni ‘screenshot’, njoftohet menjëherë dhe anasjelltas. Përveç mesazheve, pjesë e këtij përditësimi do të jenë imazhet GIF dhe reagimet.

Ndërkaq, a do të paguanit për të parë video dhe foto në Instagram? Pronari i platformës së medias sociale mendon që edhe mund ta bëni. Meta, kompania mëmë e Instagram, ka planifikuar një program pilot që do të lejojë një grup të vogël përdoruesish që të ofrojë abonime me pagesë për materiale ekskluzive për video “live” dhe “story”.

Ata mund të kërkojnë një pagesë minimale, duke filluar nga 99 cent, e deri në 100 dollarë në muaj. Për momentin, të gjitha paratë do t’i marrin krijuesit e materialit, por Meta, që gjithashtu ka në pronësi Facebook, do të nisë të marrë pjesën e vet, duke nisur nga viti i ardhshëm. CEO, Mark Zuckerberg, thotë se kompania nuk do t’u mbajë krijuesve më shumë se 30%.

Instagram nuk është e vetmja platformë sociale që ka eksperimentuar me abonimet me pagesë. Prej disa muajsh tashmë, edhe Twitter ka krijuar një opsion që krijuesit të marrin deri në 10 dollarë për materiale ekskluzive. Platforma më e njohur sociale që ofron këtë lloj shërbimi është ‘OnlyFans’, ku krijuesit postojnë shpesh edhe foto dhe video vetëm për të rritur.