Aktualitet

Rritet numri i bashkive të vogla që po mbyllin procesin e numërimit/Veliaj e Beci thellojnë diferencat me rivalët në Tiranë e Shkodër!

Vazhdon të rritet numri i bashkive për të cilat ka përfunduar numërimi i votave, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Ndërsa në shumicën kanë fituar ose aty ku ende vijon procesi, në avantazh janë kandidatët e Partisë Socialiste, vëmendjen e mori Himara. Me fare pak, një diferencë prej 30 apo 35 votash, aty fitoi Fredi Beleri, kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili u arrestua tre ditë më parë dhe u la në burg për shitblerje votash. Korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, i cili po ndjek zhvillimet në Himarë raporton se nisi festa e mbështetësve të Belerit.

Një numër gjithnjë e më i madh i bashkive, kryesisht të vogla po raporton mbylljen e procesit të numërimit. Siç bën të ditur gazetari Endi Tufa, në Bulqizë, u shpall fituese kandidatja e PS-së, Festime Mjeshtri ndërsa aty ishte dhe Belinda Balluku. Mjeshtri fitoi ndaj Dëfrim Fikut i “BF”.  Numërimit iu dha fund edhe në Mat, me fitoren e socialistit Agron Malaj.

Një garë e ngushtë u zhvillua në Devoll ku pas disa viteve, drejtimi i bashkisë do t’iu besohet socialistëve. Fitues u shpall Eduard Duro. Nuk pati surpriza në Lushnjë, Eriselda Sefa u rikonfirmua në krye të bashkisë duke fituar përballë rivalit Eduard Sharka të “BF”. Procesi i numërimit përfundoi dhe në Sarandë, me fitoren e kandidatit socialist.

Në bashkitë Tiranë dhe Shkodër ku numërimi merr më shumë kohë, kandidatët socialistë Erion Veliaj dhe Benet Beci sa vijnë e thellojnë diferencën përballë rivalëve të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Veliaj është 30 mijë vota para Belind Këlliçit, ndërsa Beci, 8 mijë më shumë se Bardh Spahija, deri tani.

Durrësi është një bashki e madhe ku vijon numërimi i votave për zgjedhjet vendore. Alma Demiraj, gazetarja e Top Channel, e cila po ndjek nga afër procesin atje njofton se deri tani, Emiriana Sako e Partisë Socialiste ka thelluar avantazhin përballë rivalit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara me mbi 5 mijë e 600 vota.