Bota

Senati Amerikan i shqetësuar për bashkëpunimin Kim Jong Un-Vladimir Putin!

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë shprehën shqetësimin për bashkëpunimin ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë. Sipas tyre, kjo e vë theksin te nevoja për mbështetje të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainën.

Në komentet e bëra për Shërbimin Korean të Zërit të Amerikës, senatorët thanë se “bashkëpunimi mes Phenianit dhe Moskës, mund t’i ndihmojë të dy vendet të çojnë përpara aftësitë e tyre ushtarake”. Senatori demokrat Chris Coons:

Jam i shqetësuar që Koreja e Veriut i ka ardhur në ndihmë me artileri Rusisë, në një kohë kritike dhe raketat balistike të Koresë së Veriut po e ndihmojnë atë të kryejë sulme të ashpra në qendrat civile anembanë Ukrainës.

Senatori republikan, Pete Ricketts u shpreh se “marrëdhënia mes Rusisë dhe Koresë së Veriut do të thotë se financimi shtesë i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën duhet të jetë një prioritet”. Siç dihet, ndihma për Kievin aktualisht është bllokuar për shkak të një debati mbi buxhetin dhe emigracionin, mes Dhomës së Përfaqësuesve e Shtëpisë së Bardhë.

“Ajo çka duhet të bëjmë është të sigurohemi se po mbështesim aleatin tonë”, theksoi senatori Ricketts. Ai shtoi se Amerika duhet “të sigurohet që trupat ukrainase të kenë armët që u nevojiten për të qenë në gjendje të luftojnë”.

Senatori demokrat, Tim Kaine deklaroi se afërsia në rritje e Rusisë e Koresë së Veriut, si dhe Kinës e Iranit, tregon se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po mësojnë fuqinë e aleancave.

Një nga pikat e forta të Shteteve të Bashkuara janë aleancat. Por ata po e kuptojnë se ky është një avantazh i madh për SHBA-të e kështu … ata po përpiqen të krijojnë linjat e bashkëpunimit sepse nuk i kanë pasur ato.

Senatori demokrat, Chris Van Hollen i bëri jehonë qëndrimeve të kolegut Ricketts, duke thënë se me dërgesat e vazhdueshme në armë nga Koreja e Veriut në Rusi do të thotë se është koha që Kongresi Amerikan të veprojë.

Kjo është përsëri arsyeja se pse është kaq e rëndësishme që Kongresi të kalojë buxhetin shtesë dhe t’i sigurojë popullit të Ukrainës mbështetjen ushtarake që ata kanë nevojë për të mbrojtur veten.