Aktualitet

Sërish zjarr në lokalin e Noizy-t, hera e dytë brenda muajit/Dyshohet e qëllimshme!

Për të dytën herë në rreth tre javë, sërish digjet lokali i këngëtarit Noizy, në zonën e Currilave, në Durrës. Nuk ka të lënduar, por dëme materiale.  Edhe në këtë rast, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, në lokalin që rezulton në emër të babait të Noizy-t, shtetasit Bashkim Rajku.

Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, zjarrfikëse si dhe një autoambulancë. Flakët përfshinë pjesën e verandës e burime nga policia e Durrësit thonë se janë në gjurmët e autorit të dyshuar.

Edhe më 11 qershor u njoftua se një lokal në Durrës, në pronësi të babait të këngëtarit të njohur Noizy është përfshirë nga zjarri.

Sipas burimeve, pista kryesore e hetimit ishte zjarrvënia e qëllimshme, por në një postim në InstaStory biznesi njoftoi se shkaku ka qenë shkëndija elektrike.

U konstatuan dy-tre vatra zjarri që u shuan nga zjarrfikësit në orët e para të mëngjesit të datës 11 qershor që ishte e diel dhe pati vetëm dëme materiale në lokal.

Policia njoftonte:

Në orët e para të mëngjesit të sotëm (11 qershor), në lagjen nr.1, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit B.R. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.