Bota

Seuli: Koreja e Veriut e teston një raketë balistike!

Koreja e Veriut nuk ndalet dhe raportohet se hodhi një raketë balistike në drejtim të ujërave të rajonit lindor të këtij vendi, referuar njoftimeve të fundit të ushtrisë së Koresë së Jugut. Ndërkaq, ky ishte dhe më i fundit në një varg testimesh të armëve nga vendi komunist.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut nuk dha hollësi të tjera, si për shembull, informacione mbi distancën që përshkoi raketa.

Koreja e Veriut është duke vazhduar testimin e armëve me ritëm të lartë pasi dëshiron që ta forcojë e zgjerojë ushtrinë në një kohë mosmarrëveshjesh diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Korenë e Jugut.

Dy ditë më parë, Koreja e Veriut njoftoi se ka testuar një kokë raketore të një rakete lundruese “tejet të madhe” e po ashtu një raketë të re kundërajrore, në pjesën e bregdetit perëndimor, të premten e 19 prillit.

Më herët, disa ekspertë patën thënë se Koreja e Veriut mund të shkaktojë provokime të mëdha, si lëshimin e një sateliti të ndaluar këtë muaj për të shënuar përvjetorë të rëndësishëm shtetërorë. Çdo 15 prill, Pheniani shënon ditëlindjen e themeluesit të shtetit Kim Il Sung, gjyshit të liderit aktual ndërsa më 25 prill, themelimin e ushtrisë së Koresë së Veriut, ndër më të fuqishmet në botë.

Ushtria e Koresë së Jugut, sot njoftoi se ka siguruar dëshmi se Koreja e Veriut është duke u përgatitur të lëshojë satelitin e dytë spiun, por nuk ka shenja se lançimi i një sateliti të tillë është i pashmangshëm. Kujtojmë se Seuli zyrtar ka bërë të qartë se po vëzhgon nga afër aktivitetet ushtarake të Veriut, duke shtuar se nëse Pheniani “kryen provokime”, ata do t’i “ndëshkojnë rëndë”.

Më herët gjatë këtij viti, shteti i drejtuar nga Kim Jong-un ka thënë se Jugu është “armiku kryesor”. Po ashtu ka hequr dorë nga qëllimi i bashkimit të dy Koreve. Ndryshe nga raketat balistike, testimi i raketave lundruese nuk ndalohet sipas sanksioneve aktuale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut.

Këto lloje raketash fluturojnë në lartësi më të ulëta e po ashtu janë më të sofistikuara se raketat balistike. Ndër të tjera, raketat lundruese detektohen dhe rrëzohen më me vështirësi.