Bota

Lideri ‘i trazuar’ i opozitës fiton bindshëm zgjedhjet në Korenë e Jugut!

Kryeopozitari i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, tha se do të punojë për një “të ardhme më të mirë”, pas fitores surprizë të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare.

“Kjo nuk është vetëm një fitore e Partisë Demokratike por një fitore e madhe për popullin”, tha ai.

Lee Jae-myung është gjithashtu një nga politikanët më të kontestuar në vend dhe me fitoren e zgjedhjeve, liberali i përfshirë nga skandale kthehet në një kërcënim për presidentin Yoon Suk Yeol.

Ish-punonjësi i fabrikës është ngjitur nga varfëria, drejt majës së politikës së vendit.

Lee humbi ngushtë zgjedhjet presidenciale në 2022 ndaj rivalit të tij të vjetër Yoon, dhe tani besohet se do të kërkojë ‘hakmarrje.’

Partia e tij dhe aleatët dominojnë parlamentin e ri, sipas rezultateve të votës nga agjencia vendase Yonhap, dhe analistët thonë se Lee do të komandojë politikat ne vend.

Ai është gjithashtu në pozitë të mirë për të marrë detyrën e Yoon kur mandati i presidentit të përfundojë në 2027.

Fitorja parlamentare e PD “i jep një nxitje të fortë objektivit të Lee në ndjekje të presidencës,” tha analisti vendas Bae Kang-hun, sipas rrjetit AFP.

Të tjerë zyrtarët thonin se fitorja bindëse e PD mund të nxistë maxhorancën e të nisë procedurat për rrëzimin nga posti të presdientit Yoon, por kjo nuk duket realiste pasi nuk arriti të merrte 200 vendet e kërkuara në parlament.

Lee ishte qëlluar me thikë në qafë në janar nga dikush që hiqej si mbështetës i tij, ndërsa pas humbjes ndaj Yoon 2022 u zotua “ta dënonte” ate me votë.

“Shifrat e sotme tregojnë zemërimin e madh të votuesve ndaj partisë së Yoon pas dy vitesh qeverisjeje,” tha analisti Yum Seung-yul, i cili shtonte se presidenti mund të ndryshonte stilin e qeverisjes për pjesën tjetër të mandatit.

Gjatë fushatës së tij Lee përmendte se vinte nga klasa e varfër, dhe kjo gjeti mbështetje në vendin me pabarazi të madhe, çmime të larta të banesave e papunësi të të rinjve.

“Unë i shpëtova varfërisë, por të tjerët kanë mbetur aty … prandaj dua ta ndryshoj sistemin ,” tha ai për rrjetin AFP në zgjedhjet e 2022 para se të humbiste.

Rrugëtimi politik i Lee është njollosur nga disa skandale korrupsioni, për të cilat ai thotë se janë “të motivuara politikisht”.

Ai pret të dalë në gjyq i akuzuar për një transferim ilegal prej $8 milionë drejt Koresë së Veriut, dhe gjithashtu për shkelje që i kanë shkaktuar humbje $14.8 milionë një kompanie në Seongnam ku ai ka qenë kryebashkiak.