Aktualitet Bota

Zelenski kërkon të njëjtën mbrojtje ajrore si Izraeli kundër raketave dhe dronëve rus!

“Qiejt e Ukrainës dhe ato të fqinjëve tanë meritojnë të njëjtën siguri”, u tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski liderëve të BE-së  gjatë Këshillit Evropian në Bruksel, duke iu referuar Izraelit.

Pak ditë më parë, Tel Avivi përdori sistemin ajror të mbrojtjes kundër raketave dhe dronëve të Iranit, i quajtur “Kupola e Hekurt”, duke neutralizuar 99% të goditjeve të tyre.

“Ukraina nuk ka nevojë për fjalë, por më shumë municione dhe mbrojtje ajrore”, tha për këtë çështje kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel në fund të samitit të Këshillit Evropian në Bruksel. Të njëjtën gjë kërkon tani edhe Zelenski nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për të zmbrapsur sulmet ruse.

“Falënderoj secilin prej jush për iniciativat dhe pjesëmarrjen në koalicione në mbështetje të Ukrainës dhe forcave tona të mbrojtjes dhe sigurisë. Falënderoj të gjithë ata, përpjekjet e të cilëve janë vërtet efektive. Por, për fat të keq, ne nuk kemi parë ende miliona predha artilerie të Bashkimit Evropian për të cilat është folur kaq shumë”, – tha Zelenski, në takimin me krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së në Bruksel, përmes video-konferencës.

“Për më tepër, – shtoi ai, – disa nisma të tjera ende nuk janë zbatuar plotësisht dhe kjo reflektohet mbi të gjitha në atë që ushtarët tanë mund të përdorin në front dhe në atë që për fat të keq ende duhet të presin. Kërkoj nga ju që të përshpejtoni zbatimin e marrëveshjeve tona me ju, si për furnizimin dhe prodhimin e përbashkët të armëve dhe municioneve, ashtu edhe për financimin e projekteve përkatëse”, përfundoi ai.

“Është urgjente që të gjithë miqtë e Ukrainës të bëjnë çdo përpjekje për të vazhduar t’i ofrojnë asaj atë që i nevojitet për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përpara një takimi me kolegun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba në kuadër të G7 në Capri, Itali.

Shtetet e Bashkuara duhet të zhbllokojnë paketën e re të ndihmës në Kongres, e cila do të votohet në Dhomë të shtunën, shtoi Blinken.

Për Kuleban, fonde të tilla janë thelbësore.

“Kjo është jeta dhe vdekja”, tha ministri ukrainas, duke deklaruar se “çështja e vetme në agjendën time këtu në G7 është mbrojtja ajrore”.