Aktualitet

Shkodra, tre përmbytje në tre muaj/ Rrugët e fshatrave të Anës së Malit janë nën ujë

Si asnjëherë më parë, brenda 3 muajsh, Shkodra përmbytet për herë të tretë. Mbrëmjen e së mërkurës, ujërat kanë vërshuar drejt zonës së Nën Shkodrës duke përmbytur mbi 1100 hektarë tokë, kryesisht në fshatrat e Obotit dhe Muriqanit. Në rrugën kryesore të Obotit ka mbi 30 centimetër ujë.

 

Gjithashtu ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Niveli i lumit Drin shënon kuotën 6.55, me një rritje prej 20 cm, ndërsa kuota maksimale është 7.50 metër.

Niveli i Liqenit shënon 8.05 m me një rritje prej 10 cm, ndërsa kuota maksimale është 8.70 m.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit, rruga e Obotit ka prezencë uji 55 cm, pasi ka pësuar rritje me 5 cm nga ora 12.00.

Në rrugën e Obotit gjatë gjithë ditës ka operuar një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me katër forca të ushtrisë.

Grupet e EC të Bashkisë Shkodër janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Fatmirësisht uji është ende shume larg banesave dhe të përmbytura janë një sipërfaqe e madhe toke djerre. Për prefekten e Shkodrës situata është menaxhuar mirë.

Ndërsa për drejtuesit e bashkisë, përmbytja e 3-të brenda një muaji ka vetëm një përgjegjës.

Përveç përmbytjeve, gjatë 24 orëve të fundit në Shkodër problem ishin edhe reshjet e dendura të dëborës të cilat bllokuan për disa orë Thethin, ndërsa mijëra banorë qëndruan në errësirë për shkak të shkëputjes së energjisë. Disa akse rrugore kanë probleme për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave.