Aktualitet

Shtrenjtimi i çmimit të bukës, godet të varfërit në vend!

Buka masive është shtrenjtuar deri në 20 lekë apo 200 të vjetra. Kjo rritje godet direkt familjet më të varfra në Shqipëri, për të cilat buka është ushqimi kryesor. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, kjo rritje është e papërfillshme por jo për 25% të popullësisë së vendit me 2.8 milionë banorë që jetojnë në kushte varfërie, me të paktën vetëm 2 mijë lekë të vjetra në ditë. Rritja e çmimit të bukës bën që të kenë mundësi të blejnë më pak ushqim në tryezat e tyre.

Prej më shumë se një viti, Autoriteti i Konkurencës kishte mbajtur në monitorim kompanitë importuese të miellit e grurit. Por, në fund rezultoi se në mënyrë të bashkërenduar, ato kishin bërë marrëveshje për të caktuar çmimin e miellit.

Juristët e Autoritetit gjetën shkeljet e propozuan edhe një gjobë që shkon në gati 6 milion euro. Por në fund, në votimin final, tre nga pesë anëtarët e Autoritetit vendosën të favorizojnë biznesin, jo më të varfrit.

Pasi Autoriteti i Konkurencës vendosi të mos gjobisë 5 kompanitë e importit të grurit dhe miellit duke mbyllur hetimin 1-vjeçar të thelluar për ta, reagon Opozita. Partia Demokratike dorëzoi kërkesën për të thirrur në Komisionin e Ekonomisë, përfaqësuesit e Autoritetit. Sipas deputetes Sorina Koti, “Ky autoritet me votën pro qeverisë, votoi kundër qytetarëve shqiptarë për uljen e çmimit të bukës dhe të miellit”.

I pyetur për mosgjobitjen e importuesve të miellit e pa komentuar rritjen e çmimit të bukës, zv.kryeministri Arben Ahmetaj u shpreh se Autoriteti i Konkurencës ka profesionistë në përbërje.

Kam shumë besim tek Autoriteti, ata janë profesionistë në fushat e tyre dhe si një ent i pavarur, i respektoj vendimin. Besoj se kanë bërë një investigim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjësi profesionale e qytetare.