Bota

Shuhet në moshën 83-vjeçare ylli i “Breaking Bad”, Mark Margolis!

Aktori i njohur i “Breaking Bad” dhe “Better Call Saul“, Mark Margolis, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Lajmi për vdekjen e Margolis u konfirmua nga djali i tij, aktori dhe CEO i “Knitting Factory Entertainment”, Morgan Margolis. Bëhet e ditur se aktori ndërroi jetë në spitalin Mount Sinai në New York City pas një sëmundjeje të rëndë.

Margolis u bë një fytyrë e njohur për miliona fansa të shfaqjes së drejtuar nga Bryan Cranston, “Breaking Bad”, në të cilën ai luajti Hector Salamanca. Ai bëri paraqitjen e tij të parë në episodin e dytë të sezonit të dytë, ku u shfaq si një përdorues i drogës i cili ishte në gjendje të komunikonte vetëm duke përdorur shprehjet e fytyrës dhe një zile shërbimi prej bronzi të lidhur në karrigen e tij me rrota.

Margolis lindi në një familje hebreje në Filadelfia më 26 nëntor 1939. Nëna e tij, Fanya, ishte një dekoratore që punonte për një kompani letrash muri dhe bënte shumë piktura, ndërsa babai i tij, Isidore, ishte një punëtor fabrike. Ai nisi klasën e parë të aktrimit në moshën 14-vjeçare dhe pas një viti në Universitetin Temple, ai u transferua në Nju Jork dhe studioi dramë me Adler në “The Actors Studio”. Ndër filmat e tij më të njohur mund të përmendim gjithashtu “The Cotton Club”, “I Shot Andy Warhol”, “The Thomas Crown Affair”, “The Tailor of Panama”, “Hardball”, “Gone Baby Gone”, “Defiance” dhe “Stand Up Guys”, si dhe shfaqje televizive si “Santa Barbara”, “Law & Order”, “Californication”, “Person of Interes”, “American Horror Story” dhe “The Affair”.