Lifestyle

Si ta kuptoni nëse është tepër nxehtë për të nxjerrë shëtitje qenushin tuaj!

Gjatë temperaturave kaq të larta, sigurisht që nuk mund t’i nxjerrim kafshët shtëpiake sa herë që duam. Qentë nuk e tolerojnë këtë lloj nxehtësie si ne. Për këtë arsye është e nevojshme t’i kushtoni pak më shumë vëmendje para se të vendosni ta nxirrni kafshën tuaj shtëpiake për shëtitje.

Nëse nuk jeni të sigurt nëse jashtë është shumë nxehtë për të shëtitur qenin tuaj, ky truk i zgjuar prej pesë sekondash do t’ju ndihmojë të mësoni për temperaturën e jashtme. Gjatë vapës më të madhe të verës, qeni duhet të nxirret për shëtitje herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje, kur ajri përvëlues bëhet më i përballueshëm.

Mund ta zbuloni nëse është shumë nxehtë për të dalë jashtë me trukun më të thjeshtë, vendoseni pëllëmbën në trotuar dhe nëse nuk mund ta mbani për pesë sekonda, do të thotë se është shumë nxehtë për qenushin tuaj. Nëse trotuari është shumë i nxehtë për pëllëmbën tuaj, do të thotë se është i rrezikshëm edhe për putrat e qenit tuaj, pra për të ecur në asfalt.

Rikujtojmë se, debati mbi qethjen e kafshëve në verë, sidomos atyre leshatore, i ka ndarë veterinerët në dy grupe të mëdha, njëri “pro” dhe tjetri “kundër”. Duke u nisur nga vetja, ne njerëzit mendojmë se sa më të larta të jenë temperaturat, aq më hollë duhet të “vishemi”. Por ja që kjo mund të mos jetë e vërtetë për shumicën e kafshëve.