Food & Drink

Si të dalloni mishin e freskët?

Kur bëhet fjala për mishin, gjithmonë gjendemi para një sfide. Prandaj, më poshtë do gjeni disa udhëzime që t’i kini parasysh kur të blini mish herën tjetër.

Pjesa e duhur

Pjesa e mishit është shumë e rëndësishme. Pjesa më e mirë e mishit vjen nga zona e kurrizit të viçit. Kjo zonë është gjithmonë më e butë dhe më e plotë. Zakonisht kjo pjesë gatuhet shumë lehtë dhe në zjarr të fortë. Ndërkohë që mishi që vjen nga zonat e shpatullës apo gjymtyrëve kërkon më shumë kohë për t’u përgatitur dhe mishi mbetet i fort.

Pamja

Gjatë kohës që jeni duke zgjedhur mishin, duhet të tregoni kujdes që mishi të jetë i butë dhe të mos jetë i thatë. Kini kujdes që të mos ketë zona ku ngjyra të ndryshojë apo dhe që kocka e mishit të jetë e dëmtuar. Sipërfaqja e mishit nuk duhet të jetë e tharë, por dhe as shumë e njomë. Këto shenja tregojnë që mishi nuk është i freskët, por përkundrazi ai është i ndenjur.

Ngjyra

Ngjyra natyrale e mishit duhet të jetë e kuqe e ndezur. Mishi që është i ndenjur nuk e ka më atë ngjyrën e freskët. Zakonisht mënyrat e prerjes dhe të ruajtjes së mishit nëpër dyqane ndikojnë tek pigmentimi i mishit. Frigoriferët ku mishi ruhet janë të hapur, pra temperatura e mishit nuk është asnjëherë në ekuilibër. Duke qenë në kontakt me ajrin e ambientit mishi fillon dhe humbet lëngjet e tij dhe merr një ngjyrë si të hirtë e deri në të kuqërremtë.

Aroma

Aroma e mishit të freskët është pak e thartë dhe e lehtë. Nëse ju ndjeni që mishi ka një aromë të fortë dhe mbytëse, do të thotë që ai nuk është i freskët.

Fortësia

Mishi i freskët s’duhet të jetë as shumë i butë e as shumë i fortë. Këshillohet se ju mund ta testoni duke e shtypur. Pasi ta keni shtypur mishi duhet të kthehet në formën e tij fillestare. Nëse nuk ndodh kështu ose është shumë i fortë për t’u shtypur, kjo do të thotë që ka shumë kohë në frigoriferin e dyqanit. Nëse blini mish kërkojini shitësit apo kasapit që të mos e mbështjellë me letër.

Mishi sipas ekspertëve duhet të vendoset vetëm në material plastike në momentin që blihet.