Bota

Sondazhet e konfirmojnë, britanikët që duan të ribashkohen me BE-në në nivelet më të larta që nga 2016-ta!

Shtatë vjet pas referendumit të Brexit-it, përqindja e britanikëve që duan të ribashkohen me BE-në është në nivelet më të larta që nga 2016-ta, sipas një sondazhi të ri. Si britanikët ashtu dhe europianët kanë shumë më pak gjasa të mendojnë se vendet e tjera do të ndjekin shembullin e Brexit-it. Britanikët janë më optimistë për të ardhmen e Bllokut, aq sa i besojnë Komisionit Europian më shumë se qeverisë së tyre. Të dhënat nga sondazhi i fundit i YouGov-it, zbuluan se duke përjashtuar ata që thanë se nuk do të votonin ose nuk e dinin, 58.2% e njerëzve në Britaninë e Madhe, tashmë do t’i thonin “PO” ribashkimit.

Përqindja është vetëm pjesërisht më e ulët nga shifra 60% e regjistruar në shkurt të këtij viti, më e larta që nga fillimi i të dhënave të krahasueshme në shkurt të 2012-ës e është rritur pak a shumë në mënyrë të vazhdueshme që nga niveli i ulët prej 47% pas referendumit.

Në shumicën e vendeve anëtare të BE-së të anketuara, mbështetja për anëtarësim të vazhdueshëm tani ka rënë në nivelet që gëzonte përpara pushtimit rus të Ukrainës, që shkaktoi rritje të fortë të ndjenjave pro-europiane.

Të pyetur nëse do të votonin për të mbetur në BE apo do të largoheshin në një referendum të stilit të Brexit-it, 62% e të anketuarve në Francë dhe 63% në Itali, që tradicionalisht janë ndër vendet anëtare më pak entuziaste të Unionit thanë se do të votonin për të qëndruar. Po në BE, muajin e kaluar, 87% e të anketuarve në Spanjë thanë se do të zgjidhnin të qëndronin. Po kështu 79% në Danimarkë, 70% në Suedi e 69% në Gjermani.

Një përqindje rekord e të anketuarve në Britani mendojnë edhe se vendet e tjera, tani nuk kanë gjasa të ndjekin shembullin britanik e të largohen nga BE-ja dekadën e ardhshme. 42% thanë se ishte e pamundur, nga 26% tre vjet më parë, ndërsa 40% deklaruan se ishte e mundshme kur përqindja ka qenë 58.

Vendet anëtare të BE-së treguan një prirje të ngjashme, me 45% të të anketuarve në Francë që thanë se mendonin se një tjetër dalje nga Blloku ishte e mundshme, krahasuar me 55% në shkurt 2020. Në Gjermani, shifrat ishin 36% (në rënie nga 42%) dhe në Danimarkë 29% (41%).

Ndërsa ndjenjat ndaj anëtarësimit në BE kanë ndryshuar ndjeshëm në Britani që nga referendumi, 51% e të anketuarve thonë se ende mendojnë se nuk ka gjasa që Britania të ribashkohet me BE-në, në një moment të ardhshëm.

Por, kjo shifër ka rënë. Ishte 62% dy vjet më parë dhe 29% e të anketuarve në Britani, në prill i thanë YouGov-it se mendojnë se ka të ngjarë që vendi të ribashkohet. 21% mendonin kështu në fillim të vitit 2021.

Njerëzit në Itali (61%) dhe Francë (54%) ishin më pak të sigurt se Britania do të ribashkohej, me Danimarkën (43%) e Suedinë (49%), më pozitive. Në të gjitha vendet, një përqindje më e lartë se më 2021-shin, thanë se mendonin se kthimi i Britanisë ishte i mundshëm.

Besimi britanik në të ardhmen e BE-së është rritur dukshëm që pas referendumit. Për të parën herë në rekord, më shumë të anketuar britanikë (41%) ishin optimistë mbi perspektivat e Unionit. Pesimistët rezultuan (36%).

Kishte më pak optimizëm për ndikimin e Brexit-it në ekonominë e Britanisë. Në prill, rreth 58% e të anketuarve në Mbretërinë e Bashkuar thanë se ata mendonin se dalja e vendit nga BE-ja do të kishte një ndikim negativ, duke u rritur ndjeshëm nga 50% dy vjet më parë.

Të anketuarit jashtë Mbretërisë së Bashkuar, përgjithësisht ishin më pak pesimistë mbi perspektivat e vendit se ata brenda. Patën më shumë gjasa të thonin se largimi nga Blloku nuk do të kishte asnjë ndikim të rëndësishëm në performancën ekonomike të Britanisë.

Të dhënat treguan se të anketuarit në Britani, tani kanë më shumë gjasa, megjithëse me një diferencë të ngushtë që të thonë se i besojnë Komisionit Europian (25%) më shumë nga sa i besojnë qeverisë së tyre (24%).

Besimi në qeverinë britanike ra nga një nivel i lartë prej 40% në prill 2021, menjëherë pas prezantimit të suksesshëm të vaksinës së COVID-it në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërsa kufizimet e bllokimit po lehtësoheshin, besimi te Komisioni Europian u rrit që nga viti 2016.