Aktualitet

Sondazhi i Top Channel me “Angi Ricerche”/ Erion Veliaj fitues në zgjedhjet vendore!

Në bashkëpunim me kompaninë e kërkimeve dhe sondazheve “Angi Ricerche”, Top Channel prezantoi të parin sondazh parazgjedhor për Bashkinë Tiranë.

Mbi 1 mijë të intervistuar u janë përgjigjur pyetjeve nëse do të votojnë më 14 Maj dhe se çfarë mendojnë për ekonominë e politikat qeverisëse, kryeqytetin, por edhe për liderët politikë e sa i mbështesin.

Sondazhi nis me pyetje të përgjithshme për të zbuluar më shumë rreth votuesve. Pyetja e parë është “Si jetohet në Shqipëri?”. Përgjigjet tregojnë se 54.8 për qind thonë se “jetohet keq” dhe 45.2 mendojnë se “jetohet mirë”.

Pyetja tjetër është se cilat janë problemet kryesore të vendit, ku emigracioni është në krye me 44.9% e më pas ekonomia, papunësia, pagat dhe pensionet e ulëta.

Ndërkohë, votuesit janë të ndarë pothuajse njësoj kur pyeten “Si po shkon Shqipëria?”. 48.3% shprehen “Në drejtimin e gabuar” dhe 49.4 në “Drejtimin e duhur”.

Kur pyeten se “Cilat janë arritjet kryesore të kryeministrit Rama?”, në krye shqiptarët vendosin rrugët e reja, integrimin dhe rindërtimin, ndërsa menaxhimi i pandemisë është ndër çështjet më pak të vlerësuara.

Arritjet më të mira të qeverisë Rama, vlerësohen pothuajse njësoj, si shëndetësia, zhvillimi, lufta ndaj korrupsionit, deri te rritja e pensioneve.

Por, se si ka qenë gjendja e familjeve shqiptare gjatë periudhës që ka qeverisur Rama, në shumicë shqiptarët mendojnë se “nuk ka ndryshuar”. Pas tre mandatesh në krye te qeverisë, sipas sondazhit, te Rama kanë besim 57.2% e zgjedhësve.

49.2% mendojnë se aktualisht punët në Bashkinë e Tiranës po lëvizin në drejtimin e duhur. 38.7% mendojnë të kundërtën.

Kur pyeten si ka qenë cilësia e jetës në katër vitet e kaluara në Tiranë, përqindja më e madhe është e atyre që mendojnë pozitivisht, me 45.7. Mes shqetësimeve kryesore të publikut në Tiranë janë trafiku dhe ndotja. Më pas rrugët, ndriçimi e ndërtimet pa kriter.

Kriminaliteti dhe siguria janë shqetësimi më i vogël. Problem kryesor në kryeqytet cilësohet infrastruktura shkollore, mbetjet urbane. Këto janë  edhe kërkesat që kanë për bashkinë e re, nga infrastruktura e trafiku dhe deri te shtimi i shkollave, menaxhimi i mbetjeve.

Te vlerësimi për kandidatët, 56% e zgjedhësve janë të kënaqur me punën e Erion Veliajt në bashki e po kaq është përqindja e atyre që kanë besim te ai.

Pyetjes nëse do të votojnë më 14 Maj, 57.9% i përgjigjen pozitivisht. Pyetjet u fokusuan edhe te kandidatët. Belind Këlliçi njihet nga 77.2% e zgjedhësve, por e besojnë vetëm 35.1 për qind e tyre.

Sondazhi tregon dhe pyetjen kryesore: “Kush do të votohet më 14 Maj?”. Sipas këtij sondazhi, fitues do të jetë Erion Veliaj me 53.8%, ndërsa Belind Këlliçi merr 32.9. Duhet theksuar se ky sondazh u bë para se të shpallej kandidati i dytë nga opozita, Roland Bejko në emër të PD-së.

Pyetjes së fundit që nëse votohet nesër për zgjedhjet e përgjithshme, kë do votonin, 51.7% përgjigjen për Partinë Socialiste, 37 për koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”, ndërsa PD e Alibeajt merr 5.7% dhe PSD 2.6.

Në bashkëpunim me “Angi Ricerche”, TCH do të realizojë të tjera sondazhe deri para ditës së zgjedhjeve. Kjo për të treguar si po ndryshon perceptimi i publikut gjatë fushatës e në fund të saj.