Rajoni

Sot në Bruksel takimi Kurti-Vuçiç/Fokusi te normalizimi i marrëdhënieve!

Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, sot takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Si ndërmjetësues i procesit, Bashkimi Europian njoftoi se takimet nisin në orën 09:00.

Fillimisht, shefi i Politikës së Jashtme të Unionit, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, presin njërin përfaqësues e më pas tjetrin.

Takimi trepalësh do të mbahet më vonë gjatë ditës, me temë diskutimi zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt. Ndër të tjera, kjo marrëveshje me 11 nene përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon që Kosova e Serbia t’i pranojnë dokumentet e simbolet e njëra-tjetrës dhe i detyron të mos pengojnë proceset integruese.

Kurti e Vuçiç do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje t’i marrin seriozisht detyrimet që kanë.

Përballje në kohë tensionesh

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50 mijë serbë e përbëjnë shumicën. Situata është acaruar që nga fundi i majit kur grupe serbësh nisën protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave në veri, të ndihmuar nga policia.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të mbajtura në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, por që u bojkotuan nga popullata lokale serbe.

Disa herë, protestat në zonë u shndërruan në përleshje të dhunshme. Më të rëndat ishin më 29 maj kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbetën të plagosur.

Duke bërë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar, Bashkimi Europian i kërkoi të ulë tensionet duke pezulluar operacionet policore në veri, zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.

Deri tani, qeveria ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja, madje duke nxjerrë një udhëzim administrativ. Por, sipas ekspertëve, vështirë që dokumenti të çojë në proces të ri zgjedhor.