Art & Kulturë

Sot në ditën e shenjtë të Sulltan Novruzit vjen për herë të parë historia e “Bektashizmit” në një ekspozitë pikture!

Piktori Rakip Shabani ka hapur ekspozita të shumta ndër vite jo vetëm në vend, por dhe jashtë saj kushtuar objekteve religjioze. Një ditë më parë ai ka çelur ekspozitën “Bektashizmi” e cila ka në fokus të saj 20 piktura të teqeve dhe personazheve të rëndësishëm të Bektashizmit në Shqipëri. E veçanta e kësaj ekspozite është se do qendrojë hapur gjithmonë, duke qenë se do behët pjesë e galerisë në një pavion të veçantë. Për këtë ekspozitë, piktori Shabani ka punuar 2 vite.

Një ekspozitë arti mbi “Bektashizmin”në Shqipëri. Çfarë iu shtyu për të bërë bashkë objekte të tilla religjioze tepër domethënëse?

Sot është Dita e Ashures dhe Festa e Bektashizmit. Mendova ta hapja një ditë më parë. Arsyeja për ta hapur ka qenë mistikja. Teqetë janë objekte që ndërtohen në majë të maleve. Mendova që për këtë ekspozitë të shkoja dhe të pyesja në lidhje edhe me Bektashizmin. Një lajm i mirë është  se së shpejti do të ndërtohet edhe një teqe në Romë. 

Të janë dashur 2 vite për të realizuar veprat e ekspozitës “Bektashizmi”. Çfarë paraqet kjo ekspozitë dhe sa vepra përmban gjithsej?

Janë afërsisht 20 vepra, pesë portrete dhe teqetë më të bukura dhe më të vjetra. Janë disa që edhe përkojnë me datën e kishës së Marmiroit. 

A ka qenë e vështirë përzgjedhja e veprave e më pas realizimi? Ke ndonjë pikturë në veçanti që të ngjall më shumë emocion?

Janë punë të cilat ndodhen në galerinë time dhe do të mbahen hapur për të gjithë. Nëse do të të pyesin kur je i martuar se cili fëmijë do më shumë, a do të përgjigjeshit?

Në pikturat e tua vihet re që nuk ka hije, por vetëm dritë. Cili është qëllimi i kësaj zgjedhje? Ka një mesazh?

Piktori duhet të jetë individualist dhe duhet të ketë sinjalistikën e tij. Unë vendosa që të punoj edhe pse nuk është e lehtë. E kam shëtitur Shqipërinë plot tre herë në këmbë. 

Si ishte interesi mbrëmë i vizitorëve në këtë pavion? Çfarë të thanë? More ndonjë koment të veçantë?

Më bëri shumë përshtypje, Sekretari i Bektashizmit, i cili kishte një sy shumë mistik, ishte një njeri i mirë dhe shumë i kulturuar edhe pse në pamje të parë nuk ta linte atë përshtypje.

Në galeri ke disa pavione. Pas pavionit të “Bektashizmit” çfarë ke menduar të shtosh tjetër? Ke ndonjë projekt që pret ta finalizosh?

Janë shumë pavione. Si ai i etnografisë, detit, fluturave, zogjve dhe shumë të tjera. Janë 180 punime dhe kompozime sidomos në teknikën e akuarelit.