Aktualitet

Sulm me thikë brenda xhamisë në Tiranë, 5 të plagosur!

Rreth orës 14:30,në Rrugën e Kavajës një shtetas është futur në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar.

Shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç nga Burreli  po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme. Autori i plagosjes së 5 besimtarëve ka kryer një tjetër plagosje më 11 mars 2021, po në një situatë të ngjashme në Terminali e Autobusëve për Jugun. Gjatë këtij konflikti ai plagosi Robert Kurtin dhe ishte shpallur në kërkim por nuk ishte kapur nga policia.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Hoxha i Xhamisë “Dine Hoxha” Ahmed Kalaja ku janë plagosur 5 persona pak më parë e quan këtë një akt barbarie. Ai thotë se 34 vjeçari ka hyrë i armatosur në xhami dhe ka qëlluar disa persona nga stafi i xhamisë dhe disa besimtarë që kanë qenë duke u falur dhe lutur. Ndërkaq Kalaja thotë se shpreson të mos ketë qenë ndonjë akt terrorist por personi të jetë me të meta mendore.

Sot pas dreke andej nga ora 2 ka ndodhur një akt barbarie pranë xhamisë Dine hoxha ku një njeri i armatposur me thikë godet besimtarët me thikë. Po nuk mjaftohet vetëm me besimtarët por godet dhe njerëzit në rrugë. Ai është arrestuar dhe situata është nën kontroll. Të plagosurit janë në spital, shpresojmë të mos ketë qenë ndonjë akt terrorist por të ketë qenë një person me të meta mendore. Zoti i madh largoftë nga ne njerëzit që janë me probleme dhe që duan të prishin harmoninë e këtij muaji të begatë. Janë plagosur disa nga stafi i xhamisë dhe disa besimtarë që kanë qenë duke adhuruar zotin në ato momente. Personi në fjalë të marrë atë që meriton!