Aktualitet

“Sundimi i ligjit” shtrihet në mbarë vendin/Shënjestrohen personat në kërkim!

Megaoperacion i Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, kryesisht për kapjen e personave të shpallur në kërkim. I koduar “Sundimi i ligjit”, ky operacion filloi që në orët e para të mëngjesit kur u angazhuan 1 mijë e 852 punonjës policie nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Si rezultat i ndërhyrjeve në shkallë të gjerë, deri më tani janë vënë në pranga 25 persona, nga të cilët u arrestuan 19 të shpallur në kërkim kombëtar dhe një i shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për vepra penale kundër personit, pronës e në fushën e narkotikëve. Gjithashtu pesë vetë u kapën në flagrancë, për armë e drogë.

Policia ka sekuestruar gjithsej 9 armë zjarri, sportive e gjahu, një mjet prerës e sasi të konsiderueshme municioni luftarak, si edhe lëndë narkotike të llojit cannabis sativa e kokainë, krahas një shume të konsiderueshme të parave, të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Konkretisht:

-Në Dibër u kap një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë;

-19 persona të tjerë të kërkuar kombëtarisht: për tentativë për vrasje të dyfishtë në Shkodër; për plagosje të rëndë me dashje ose për armëmbajtje pa leje në Dibër; për llogari të SPAK-ut; në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” (tre persona në Tiranë dhe një shtetas në Durrës); për raste të tjera në fushën e narkotikëve në qarqet Tiranë, Vlorë e Berat; për vjedhje në Tiranë dhe në Fier ose për veprimtari të tjera kriminale, janë kapur dhe janë vënë në pranga;

-Tre armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë e në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga;

-61.5 gramë kokainë dhe 500 doza cannabisi janë sekuestruar në Tiranë dhe në Dibër, si dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit që i posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen.

Sipas policisë, materialet procedurale për secilin rast i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa operacioni “Sundimi i ligjit” vijon në të gjithë territorin e vendit tonë.