Sport

Superliga mbyll sot javën e 29-të me dy takime!

Superliga, sot luhen dy ndeshjet e fundit në futbollin shqiptar për Javën e 29-të. Sipas kalendarit zyrtar, në orën 15:00 nis Laçi-Partizani ndërsa më 18:00, Dinamo-Skënderbeu. Sa i përket takimeve të djeshme, Vllaznia nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 me Erzenin në “Loro Boriçi”. Egnatia-Kukësi përfundoi 1-0.

Skuadra e Egnatias e fitoi sfidën hapëse të Javës së 29-të të Superligës përballë Kukësit. Ekipi kampion i Kupës së Shqipërisë arriti të “thyente” në shtëpi Kukësin, me rezultatin 1-0. Për skuadrën rrogozhinase, goli u shënua nga Zejnullai, në minutën e gjashtë.

Kjo fitore e skuadrës së drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, prishi serinë pa fitore të rrogozhinasve, që nuk merrnin tri pikë të plota prej 7-ës ndeshjes radhazi. Me këtë fitore, skuadra Egnatias ngjitet në kuotën e 54 pikëve në krye të klasifikimit, e ndjekur nga Vllaznia me 49 pikë e më tej Partizani me 46.

Ndërkohë, me këtë humbje, Kukësi thelloi krizën, ndërsa mbetet në vendin e fundit me 25 pikë, 2 më pak se Erzeni dhe 6 më pak se Teuta e Laçi.

Një tjetër ndeshje e luajtur dje ishte Tirana-Teuta 1-2 dhe humbja e një dite më parë dëshmoi për krizën që ka kapluar kryeqytetasit.

Në një tjetër zhvillim, Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dënoi me gjobë 100.000 lekë klubin e futbollit “Apolonia”, pasi gjatë ndeshjes së javës së fundit, tifozët e tij hodhën sende në fushën e lojës.

Sipas vendimit, gjoba do të aplikohet në masën 50%. “FK Apolonia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve,  dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%”, bëri të ditur FSHF-ja që po ashtu vendosi të tjera penalitete:

Njoftimi zyrtar: 

AF Elbasani, për mos marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%. KF Lushnja, për mos marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Vora, Xhuljo Tabaku, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FC Albanët, Albi Alushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.