Rajoni

Gabriel Escobar në Kosovë, takime për çështjen e dinarit serb!

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot nis vizitën e tij në Kosovë ku pritet të takohet me liderët e vendit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, opozitën e përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar mbi çështjen e dinarit.

Një ditë më parë, emisari amerikan tha se “gjatë vizitës në Prishtinë do të ketë në fokus një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin, si dhe për transfertat e Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.

Nga 1 shkurti, Banka Qendrore e Kosovës filloi zbatimin e një rregulloreje të re, e cila përcakton që vetëm euro të përdoret për pagesa me para, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Bruksel, dje Escobar e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar këtë rregullore.

Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe iu paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët atje, dje udhëtuan me dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe në afërsi të kufirit me Kosovën për të tërhequr pagesat që pranojnë nga qeveria e Serbisë.

Escobar ka përmendur disa arsye se përse Shtetet e Bashkuara nuk bien dakord me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së. Ato lidhen me shpejtësinë me të cilën është zbatuar, mungesën e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit apo komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën të ofrojë ndihmë teknike.

Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent. Zbatimi i tij ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës.

Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, por ato kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb. Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e një turi tetëditor në vende si Belgjika, Austria dhe Mali i Zi dhe që e nisi më 10 mars.