Politikë

Takoi kunatin e Bashës? Leli: Skenar i qëndisur, Erion Isufin s’e kam parë ndonjëherë

Kryebashkiaku i Vlorë, Dritan Leli ka mohuar të jetë takuar me kunatin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Erion Isufi.

Në një status në rrjetet sociale, Leli e cilëson një skenar të stisur videon e publikuar nga Gazeta Tema, . Ai shton se në të vërtetë është takuar me një pedagogun Idlir Dervishi dhe se biznesmenin Erion Isufi nuk e njeh e nuk e ka parë ndonjëherë.

Për të gjithë ata që nxjerrin çfarë duan e nuk shohin çfarë nxjerrin, me gjithë skenarët e qëndisur, më duhet të them se në videon e publikuar nga media, ndërkohë që është duke u zhvilluar Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, jam duke biseduar me inxhinierin e pedagogun vlonjat Idlir Dervishi, në oborrin e Akademisë së Arteve, pranë Universitetit Politeknik, ku Idliri punon! Kunatin e Lulit, as nuk e kam parë, as nuk e kam takuar ndonjëherë në jetë- shkruan Leli.

Ishte gazeta Tema që publikoi një video pasditen e sotme, ku sipas saj në takim ishte Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli dhe kunati i Bashës, Erion Isufi.