Aktualitet

“The Guardian” shkrim për rrugëtimin e transformimit të Piramidës së Tiranës/Zbulon shpresën për të ardhmen!

Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim Piramidës së Tiranës. “Një monument i rrënuar i trashëgimisë komuniste në Tiranë është transformuar në një vend argëtues me shumë hapësira”. Kështu shkruan autori, gazetari Rowan Moore.

Piramida e Tiranës, një kon betoni 21 metra i lartë në kryeqytetin e Shqipërisë u hap në vitin 1988 si një muze për të përkujtuar ish-udhëheqësin Enver Hoxha, i cili për katër dekada deri në vdekjen e tij në vitin 1985 drejtoi një shtet të izoluar komunist.

Monumenti ishte ekuivalent me varrin e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq të Moskës. Dizajni i ndërtesës nga një ekip arkitektësh ishte njëkohësisht fantastiko-shkencor e faraonik.

Me kalimin e kohës, piramida shërbeu si një stacion radioje, një klub nate, qendër konferencash dhe një bazë për NATO-n gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovën fqinje.

Megjithëse prishja e Piramidës u propozua për shkak të strukturës gjithnjë e më të rrënuar, kishte edhe një plan për të ndërtuar një teatër kombëtar.

Përfundimisht, bashkia vendosi ta shndërrojë në një qendër IT për të rinjtë, një “mjedis ushqyes për të rinjtë shqiptarë”. Koston e ndërtimit 12 milion eurosh do ta financonte Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Një shumëllojshmëri prej 34 kutish shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër si blloqe ndërtimi të një fëmije të pakujdesshëm, u projektuan nga kompania arkitekturore holandeze MVRDV.

Kutitë shërbejnë si klasa, kafene, hapësira trajnimi. Rreth gjysma prej tyre janë për përdorimin e Tumo-s, institucion arsimor jofitimprurës që ofron arsimim pas shkollës falas për adoleshentët në teknologjitë e reja. Dy kutitë e përkulura do të shërbejnë për të bërë teatro dhe leksione. Publiku mund të endet midis dhe mbi kutitë, të ecë në çati e të ulet në tarracat e tyre.

Ato janë grumbulluar brenda piramidës, të fiksuara rreth çatisë së saj dhe përhapen në hapësirën përreth. Kompozimin mund ta konsideroni të ngjashëm me një fshat, duke krijuar hapësira joformale midis kutive dhe me strukturën urbane ngjitur e me platformat dhe ballkonet e tij që ndjekin ngjarje të paspecifikuara teatrale të së ardhmes.

Pjesa e brendshme e piramidës është e kalueshme dhe e ngjitshme, duke ofruar një eksperiencë të ngjashme me parkun. Mbi të gjitha, dominon struktura me trarë të prerë, mermer të plasaritur e detaje të çuditshme komunisto-brutaliste të ekspozuara.

Nëpërmjet riparimeve selektive, futjes së dritës shtesë e kutive me ngjyra, punimet e reja zbulojnë me sukses fisnikërinë dhe dramën e fshehtë. Ky është projekti i një serie përpjekjesh për të ndryshuar kuptimin e përvojën e trashëgimisë komuniste të Tiranës.

Për shembull, në Berlin, disa ikona komuniste dhe naziste u shkatërruan, ndërsa disa ndertesa të tjera u ruajtën në emër të historisë, siç është restaurimi i Reichstag.

Pasi artisti Edi Rama u bë kryetar bashkie në vitin 2000, blloqet e zymta të apartamenteve në Tiranë morën ngjyra të ndezura, një mënyrë e lirë, por efektive për të gëzuar njerëzit e për të nënkuptuar se vendi po ndryshonte.

Tashmë, Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe rinovimi i qytetit vazhdon me mbështetjen e tij e të kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj. Vendi publik qendror i qytetit, dikur sheshi Skënderbej është pasuruar me një mini pyll me biodiversitet të ashpër.

Disa kulla ngrihen rreth qendrës, të projektuara nga disa prej arkitektëve më të njohur bashkëkohorë europianë. Më i gjati prej tyre është “Downtown One”, i projektuar gjithashtu nga MVRDV, një bllok apartamentesh dhe zyrash të vendosura në afërsi të piramidës.

Punimet e reja theksojnë kompleksitetin e historisë së ndërtesës, e cila përfshin punën dhe aftësinë e njerëzve që e ndërtuan atë e gjenialitetin përshtatës të profesioneve të mëvonshme.

Piramida zbulon krenarinë për të kaluarën krahas shpresës për të ardhmen.