Rajoni

Rusët në Serbi dhe në Mal të Zi votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse!

Qytetarët e Rusisë që jetojnë në Serbi e në Malin e Zi mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse, sot në ditën e tretë dhe të fundit të tyre. Ata kanë mundësi të votojnë për njërin prej katër kandidatëve në fletëvotim, mes tyre Vladimir Putin, i cili e ka në xhep fitoren. Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk cilësohen as të lira e as të drejta.

Qytetarët rusë në Serbi votojnë në mjediset e shkollës së ambasadës ruse në Beograd. Organizata joqeveritare Shoqëria Demokratike Ruse, e udhëhequr nga qytetarë rusë në Serbi njoftoi bashkimin me aksionin global “Mesdita kundër Putinit”, për të nderuar amanetin e fundit të Alexei Navalny-t, kritikut më të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg të izoluar të Arktikut, nën rrethana të dyshimta.

Qytetarë të Rusisë që kundërshtojnë atë që cilësohet “diktaturë e Vladimir Putinit” dhe nuk votojnë për të, në mesditë, dolën në qendrat e votimit për të demonstruar publikisht numrin e tyre, pavarësisht falsifikimit dhe propagandës zgjedhore.

Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë. Qendra e votimit e hapur në orën 08:00 do të mbyllet më 20:00 të mbrëmjes.

Për të votuar duhet ta vizitoni qendrën e votimit dhe të tregoni një pasaportë të vlefshme, tha ambasada ruse në faqen e saj.

Në rrjetin Telegram, ambasada deklaroi se “masat e sigurisë dhe kontrollit forcohen ditën e votimit për të mbrojtur sigurinë e votuesve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor”. Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të selisë diplomatike, nuk ka asnjë të dhënë për numrin e qytetarëve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë. Rreth 27 mijë rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.

Në fund të janarit, aktivistë rusë në Malin e Zi organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e politikanit opozitar Boris Nadezhdin, për zgjedhjet presidenciale. Por, politikani 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar. Kjo me pretendimin se mblodhi firma të pavlefshme të përkrahësve. Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata e Lartë e Rusisë.