Aktualitet Politikë

Votimi për imunitetin e Berishës dhe protesta e opozitës, Kuvendi blindohet nga masat e sigurisë!

Selia e Parlamentit është blinduar nga masat e sigurisë për protestën e thirrur sot në mëngjes nga opozita. Mësohet se rreth 500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e saj, si dhe raportohet për instalim të kamerave me rezolucion të lartë.

Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për parandalimin e incidenteve gjatë protestës së opozitës. Që në orët e para të mëngjesit nisi implementimi i uniformave blu. Sipas planit të masave, rreth 500 efektivë nga Policia e Tiranës dhe forca të sigurisë kombëtare janë dislokuar te selia e Kuvendit. Do të ndiqet protokolli anti-tubim, me automjete për shpërndarjen e turmës dhe punonjësit janë të pajisur me kundragaz. Në shërbim të përforcuar është edhe Garda e Republikës, në të gjitha institucionet shtetërore.

Po ashtu, për të shmangur përsëritjen e skenave të përplasjeve apo bllokimeve për të hyrë në sallën e seancave plenare, deputetët socialistë hynë dy orë para nises së seancës ku pritet të votohet heqja e imunitetit të deputetit Sali Berisha.

Protesta zhvillohet me moton: “O SOT, O KURRE!”. Teksa hedh akuza për orkestrim të drejtësisë në goditjen e kundërshtarit politik, opozita ka paralajmëruar mosbindje civile me të gjitha metodat që sipas saj, parashikojnë manualet ndërkombëtare të rezistencës.

Në Kuvendin e Shqipërisë, dje u depozituan dy raporte nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, që më 18 dhjetor, me 6 vota pro, miratuan kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit Berishës. Ish-kryeministri akuzohet për “Korrupsion pasiv” në lidhje me aferën e privatizimit të klubit Partizani.

Një prej raporteve është i maxhorancës, ndërsa tjetri, i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK-ut.

Po dje, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë, të cilët kërkuan pezullimin e vendimit të GJKKO-së për masën shtrënguese ndaj Sali Berishës e për rrjedhojë edhe pezullimin e arrestimit të tij.

Për Gjykatën Kushtetuese, Sali Berisha ka të drejtë ta ankimojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK, pasi të ezaurojë ankimet në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Në padinë e tyre, deputetët demokratë pretenduan se masa e marrë më 20 tetor ndaj Sali Berishës “Detyrim për paraqitje”, lidhur me çështjen Partizani, “është antikushtetuese” dhe “u mor pa u kërkuar paraprakisht autorizimi i Kuvendit”.