Aktualitet

Vrasja në Kurbin, objektiv ishte pronari i firmës së interteve që u plagos/Viktimë mbeti ekonomisti!

Zv.drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, Gentjan Berberi dha detaje lidhur me atentatin e sotëm në një firmë përpunimi të inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit ku u qëllua me automatik dhe nga plumbat mbeti i vdekur ekonomisti Selman Mihana 70-vjeç dhe u plagos pronari, Ardian Gjeloshi.

Fotoja e viktimës, Selman Mihana

Sipas Berberit, “objektiv i sulmit me armë ishte Gjeloshi, u tentua të ekzekutohet 51-vjeçari”. Për shkak të plagëve të marra u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Sot rreth orës 07:00 është njoftuar se u qëllua me armë zjarri dhe është tentuar të vritet A.GJ. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën S.M. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Pista që po hetojmë është e konflikteve, mosmarrëveshjeve. Objektivi dyshohet A.GJ dhe është në gjendje të mirë.

Më herët, policia njoftoi:

Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi S. M,  rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari  shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjeksore.

Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.

Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.

Policia vijon hetimet lidhur me atentatin e sotëm me një të vrarë dhe një të plagosur në firmën e përpunimit të inerteve në Gurëz të Kurbinit. Dy janë pistat kryesore të hetimit. Burime për Top Channel thanë se nuk përjashtohet hakmarrja me një fis në Rrëshen, ndaj të cilit janë kryer atentate dhe djali i Gjeloshit dyshohet i përfshirë.

Ndërkaq, një pistë më e zbehtë hetimore janë konfliktet për shkak të biznesit, të cilat po verifikohen. Sa i përket dinamikës, vrasja u krye me kallashnikov. Autorët hynë brenda rrethimit të firmës e hapën zjarr. Nga vendngjarja u larguan me një fuoristradë dhe një autoveturë.