Aktualitet

Vrasja në Shëngjin, ministri Manja: Autoritetet të zbardhin ngjarjen, mos përdoret politikisht!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, dje në Shëngjin. Manja foli pas mbledhjes së sotme të qeverisë e shprehu ngushëllime. Po ashtu, ministri apeloi që kjo ngjarje e rëndë, të mos përdoret për politikë, ndërsa u shpreh kundër përdorimit për qëllime personale të viktimave. Ulsi Manja deklaroi:

Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e viktimës në Lezhë. Shpreh solidaritetin tim për këtë ngjarje të trishtë që ka ndodhur dje në Lezhë. Në radhë të parë jemi shqiptarë, më pas aleatë politikë apo edhe kundërshtarë politikë. Në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë, zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi të shëmtuar.

Lidhur me akuzat e djeshme, kam neveri dhe përçmim. Sepse janë të njëjtët njerëz që vëllavrasjen, përçarjen dhe përdorimin e viktimave për qëllime personale e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre politike këtu e 32 vjet. Kam vetëm neveri, por është momenti të ftoj organet ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe autorët të shkojnë para drejtësisë!

Nikulaj u vra në një atentat në lokalin në pronësinë e tij në pedonalen e Shëngjinit. Një person me maskë në fytyrë, skafandër në kokë dhe i veshur me një jelek fosforeshent e qëlloi për vdekje me pistoletë 50-vjeçarin e më pas u largua me një motor. Viktima do të kandidonte me Partinë Socialdemokrate, PSD më 14 Maj për Këshillin Bashkiak Lezhë e po me këtë forcë politike garoi për deputet në Lezhë në zgjedhjet parlamentare të dy viteve më parë.

Pas këtij ekzekutimi, dje ish-kryeministri Sali Berisha, drejtoi gishtin nga qeveria dhe sipas tij, Ardian Nikulaj ka qenë kundër kanididimit të socialistit Pjerin Ndreu për kreun e Bashkisë Lezhë në zgjedhjet vendore të muajit të ardhshëm.