Aktualitet

Vrasje në Shëngjin, viktima kandidat i PSD-së për vendoret e 14 Majit në Lezhë!

Të shtëna me armë zjarri në Shëngjin të Lezhës, vritet një person. Krimi ndodhi rreth orës 13:30 minuta të paradites dhe ende nuk ka shumë informacione lidhur me rrethanat. Paraprakisht, mësohet se në një lokal në afërsi të portit mbeti i vrarë pronari i tij, shtetasi Ardian Nikulaj.

50-vjeçari i njohur edhe me mbiemrin Marku u qëllua për vdekje nga dy persona ende të paidentifikuar që u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Biznesmeni Nikulaj ishte kandidat për Këshillin Bashkiak të Lezhës, më 14 Maj. Ai do të garonte me Partinë Socialdemokrate, kandidat i së cilës ishte edhe në zgjedhjet politike të 25 Prillit 2021.

Ndërkaq, bëhet e ditur se në të kaluarën ka qenë i dënuar “Për armëmbajtje pa leje” më 2003-shin dhe “Për kontrabandë mallrash e falsifikim” më 2006-ën. Policia nisi hetimet për dokumentimin e ngjarjes e ngriti pika kontrolli duke rrethuar zonën.

Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Mësohet se hetimet janë përqendruar në dy pista: konfliktet në biznes dhe e shkuara e viktimës. Po ashtu bëhet e ditur se Nikulaj lëvizte me makinë të blinduar çka tregon se i druhej një atentati. Personi që e qëlloi kishte skafandër motori në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent. Më pas, u largua me motor bashkë me një tjetër.