Aktualitet

Vrasjet në Elbasan, Erjon Alibej: Do flas në një moment të dytë!

Për të dytën herë, Erjon Alibej, refuzoi të dëshmojë për vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ndërsa ky i fundit u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të qytetit të Elbasanit në korrik të vitit 2020.

Alibej është arrestuar pasi akuzohet si organizator i dy vrasjeve mafioze. Ai u thirr në cilësinë e dëshmitarit dhe të pandehurit në Gjykatën e  Posaçme e cila po gjykon ekzekutimin e Runajt, ndërsa Alibej i tha trupës gjykuese se nuk mund të dëshmojë në këtë seancë, edhe pse u shpreh i gatshëm të flasë në një moment të dytë.

Jam i gatshëm të flas, por në një moment të dytë. Më ka ndodhur një problem familjar.

Ndërkaq, gjyqtarja i kujtoi të pandehurit se të njëjtin qëndrim ka mbajtur disa muaj më parë, por Alibej përsëriti se problemi familjar sapo i kishte ndodhur. Kërkesa e tij u pranua edhe nga prokurori që i tha Gjykatës se duhet t’i jepet mundësia të dëshmojë në një moment tjetër.

Përveç kësaj, në GJKKO dhanë deklarimet e tyre edhe dy dëshmitarë që të parët panë trupin e pajetë të Regis Runajt. Latif e Mariglen Daka, at e bir, thanë se ishte djali i pari që kishte konstatuar trupin e pajetë dhe më pas lajmëroi të atin, ndërsa ky i fundit ishte rikthyer me Mariglenin e kur panë çfarë kishte ndodhur njoftuan policinë.

Akuza thotë se vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt lidhen me ngjarjen e ndodhur në dhjetor të vitit 2018, kur mbeti i vrarë vëllai i Erjon Alibejt, Endrit Alibej. Po ashtu, Prokuroria thotë se vrasjet e ndodhura në muajin korrik në Elbasan u zbuluan nga një i penduar i drejtësisë, i cili është arrestuar për vrasjen e 23-vjeçarit, Regis Runaj. Për të finalizuar ekzekutimin, autorët janë bërë shok me Runajn dhe 10 ditë më pas e masakruan me mjete prerëse.