Bota

Zelensky: Rusia do të mposhtet ashtu siç u mposht nazizmi!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se forcat ruse do të mposhten në Ukrainë ashtu siç u mposht Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në një video-mesazh të regjistruar në të cilin shfaqet duke qëndruar para një memoriali lufte, Zelensky shprehet:

E gjithë ligësia e së shkuarës, që po risillet nga Rusia moderne do të mposhtet, ashtu sikurse u mposht nazizmi. Do të mposhtim një ligësi të ngjashme.

Ky mesazh i presidentit ukrainas vjen në 78-vjetorin e dorëzimit të Gjermanisë Naziste ndaj forcave aleate më 8 maj 1945 dhe një ditë para Ditës së Fitores, që Moska e feston për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Zelensky bëri të ditur se ka dërguar një projektligj në Parlament, që më 8 maj, zyrtarisht, në Ukrainë të shënohet Dita e Fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe për festimin e Ditës së Europës më 9 maj. Kjo është një tjetër përpjekje për ta distancuar edhe më shumë vendin që drejton nga Moska.

Kreu i shtetit përsëriti se “Kremlini është përgjegjës për agresion, aneksim, pushtim e dëbim, si edhe për vrasje në masë e tortura”.

Për të gjitha këto, ne do të përgjigjemi me fitoren tonë, fitoren e Ukrainës dhe botës së lirë.

Fjalimi pasoi deklaratën e autoriteteve ukrainase që njoftuan se kanë penguar 35 sulme me dronë të lëshuar nga Rusia.  Rusët kanë nisur një valë të re të sulmeve me dronë e raketa ndaj Kievit dhe të tjera qyteteve ukrainase. Moska po rrit sulmet teksa përgatitet për Ditën e Fitores, që shënon mposhtjen e Gjermanisë Naziste nga sovjetikët më 1945-ën. Të paktën 16 sulme me raketa kanë goditur qytetet në rajonet e Harkivit, Hersonit, Mikolajivit e Odesës. 61 sulme ajrore dhe me 52 breshëri raketash goditën pozicionet ukrainase në zonat e banuara.

Mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 35 dronë të prodhimit iranian, Shahed, që Rusia ka lëshuar drejt territorit të Ukrainës. Të paktën pesë persona u plagosën në Kiev, pas dëmtimeve në një depo karburantesh, si dhe sulmeve ndaj makinave, ndërtesave e infrastrukturës. Një depo ushqimore u përfshi nga flakët në qytetin Odesa, në Detin e Zi.

Sulmet e reja pasojnë përgatitjet e Moskës për të shënuar nesër Ditën e Fitores, përmes një parade. Kjo ngjarje është kyçe për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka ngjallur shpirtin e triumfit sovjetik mbi Gjermaninë Naziste, duke akuzuar Ukrainën se është përfshirë në një lloj të ri të fashizmit.