Aktualitet

Zgjedhja e presidentit, sot raundi i 3-të në Kuvend/Nuk ka emra!

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot për raundin e tretë të votimit për President të Republikës, një seancë që do të zhvillohet vetëm formalisht pasi ashtu si në dy të parat, nuk ka kandidatura. Pjesa e demokratëve që në negociata u përfaqësua nga kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj nuk dërgoi emra dhe akuzoi shumicën socialiste për prishjen e marrëveshjes. Raundi i tretë, i fundit që kërkon shumicë të cilësuar, pra 84 vota është gjithashtu dhe i fundit ku opozitës iu la e drejta të propozonte një emër për kreun e shtetit.

Pak javë më parë u duk se palët arritën marrëveshje për të gjetur kandidatura konsensuale. Por, socialistët nuk pranuan të mbështesnin me firma emrat e përzgjedhur në mbledhjen e grupit demokrat nën drejtimin e Alibeajt, duke bërë që të akuzoheshin për shkelje të akordit, edhe pse vunë në dukje se nuk e kishin premtuar një gjë të tillë.

Ndërkohë, në raundin e katërt dhe atë të pestë, mjaftojnë 71 vota në Kuvend që Shqipëria të ketë emrin e presidentit apo me gjasë, presidentes së re të Republikës.

Do të jetë Konferenca e Kryetarëve që në mbledhjen e nesërme pritet të vendosë datën për raundin e katërt e besohet se do të jetë data 5 qershor, tashmë për të votuar kandidaturën që do të propozohet nga Partia Socialiste. Tendenca dhe dëshira e shprehur prej kryesocialistit Edi Rama, është që kësaj here, posti i presidentit t’i besohet një gruaje.

Më 26 maj, demokratët paralajmëruan se do të bojkotojnë procesin për zgjedhjen e presidentit. Në mbledhjen e grupit të PD-së në selinë blu, kryetari i tij, Enkelejd Alibeaj, si dhe deputetët Jorida Tabaku e Gazment Bardhi, kërkuan që “opozita të mos marrë pjesë në raundet e mbetura për presidentin”, se sipas tyre “Edi Rama e tregoi që nuk e respekton marrëveshjen dhe se në fund do të zgjedhë presidentin që kanë vendosur që në krye të herës”. Alibeaj u shpreh:

Sugjeroj që s’ka asnjë arsye të marrim pjesë. Ata thyen marrëveshjen!