Aktualitet Politikë

Konferenca e Kryetarëve, PD-së i refuzohet interpelanca me Ramën për emisionin në Rai 3!

Debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të mbledhur sot e ku demokrati Gazment Bardhi, sërish kërkoi që në seancën plenare të radhës në Kuvendin e Shqipërisë, të zhvillohet një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, sipas tij, “për ndërhyrje te Rai italian”, pas emisionit të televizionit Rai 3 në lidhje me marrëveshjen e emigrantëve, Itali-Shqipëri.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i vuri në dukje se objekti i kërkesës së Bardhit, nuk ka lidhje me procedurën për të cilën do të duhet që kryeministri të thirret në interpelancë. Bardhi e akuzoi Nikollën se “po reciton atë që i kanë shkruar”.

Gazment Bardhi: Unë nuk e kuptoj se përse në draft-kalendarë nuk është përfshirë kërkesa e grupit të Partisë Demokratike për interpelancë urgjente. Shpresoj që të jetë një gabim teknik, pasi ndryshe do të ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë që ka kërkesa të tilla, Kuvendi shmanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e Kryeministrit në Twitter. Unë kërkoj që të shtohet në kalendar.

Lindita Nikolla: Shqetësimi që keni paraqitur ju në interpelancë, pra objekti, nuk ka asnjë lidhje me procedurën që do të duhet të thirret një interpelancë, prandaj dhe nuk përfshihet.

Bardhi: Unë e kuptoj që ju recitoni dokrra që ju kanë shkruar. Në bazë të Kushtetutës, unë kërkoj që kryeministri të vijë e të na japë sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një medie ndërkombëtare.

Pas debatit me Nikollën, Gazment Bardhi braktisi mbledhjen, së bashku me deputetin Agron Gjekmarkaj. Kjo për shkak se kërkesa e tij nuk është miratuar.

Lidhur me emisionin në Rai 3 për marrëveshjen e emigrantëve Itali-Shqipëri e reagimet që pasuan, dje foli edhe Giorgia Meloni. Në konventën e partisë Fratelli D’Italia e që u zhvillua në Pescara, kryeministrja italiane theksoi se Shqipëria dhe kryeministri Rama u sulmuan lidhur me përpjekjet për t’i ndihmuar për emigrantët.

Për emigrantët bëmë marrëveshje me Edi Ramën dhe na ruaj Zot, e majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë. Në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, ata e sulmuan, deklaroi Meloni. “Më ndihmoni t’i dërgoj solidaritetin tonë Ramës dhe gjithë popullit shqiptar”, theksoi kryeministrja italiane.