Bota

Zjarr në spitalin e Tivolit në Itali, tre viktima e mbi 200 pacientë të evakuar!

Tragjedi në Tivoli të Italisë, tre persona humbën jetën pas zjarrit që shpërtheu në mbrëmje vonë, në spitalin e qytetit. Nga autoritetet italiane u bë e ditur se dy prej viktimave gjetën vdekjen për shkak të tymit të dendur, ndërsa një tjetër pësoi infarkt kardiak. Para se të shpërthenin flakët, në mjediset spitalore kishte ndërruar jetë një tjetër paciente.

Zjarri u shua, por për shkak të spitalit të mbushur me tym u bënë evakuime. Mbi 200 pacientë u sistemuan në një palestër të zonës, të administruar nga bashkia. Mbrojtja Civile dërgoi batanije, jastëkë e shtretër. Lajmin e bën të ditur kryetari i Bashkisë së Tivolit, Giuseppe Proietti, në një postim në rrjetet sociale.

Palestra bashkiake Maramotti po përdoret si vendstrehim i përkohshëm për pacientët që do të presin këtu për t’u transferuar me autoambulanca në të tjera ambiente spitalore të kryeqytetit Romë.

Paraprakisht, mediat në vendin fqinj kanë mundur të mësojnë se në spitalin e Tivolit, zjarri nisi nga disa dhoma ku ndodhen disa klinika. Ato gjenden në katin -2 të këtij spitali e prej andej flakët u përhapën me shpejtësi duke pushtuar shërbimin e Urgjencës e Reanimacionin. Repartet e tjera nuk u prekën, por tymi shumë i dendur pushtoi të gjithë spitalin dhe për këtë arsye ishte i nevojshëm evakuimi i të gjithë strukturës.

Përveç tre viktimave që humbën jetën nga zjarri, mësohet se u largua edhe një trup i pajetë që mbahej në morg. Eshtë fjala për një grua 84-vjeçe, familjarët e së cilës kërkojnë përgjigje.

Duam qartësi për shkaqet e vdekjes së nënës sonë. Na thanë se nuk vdiq nga tymi. Ishte 84 vjeçe dhe ka patur një problem në mushkëri e gjendej e shtruar në spital prej tre ditësh, në katin e tretë.  Na thanë se nëna jonë nuk vdiq nga zjarri edhe pse vdekja e saj ndodhi në të njëjtën kohë. Ne duam të mësojmë të vërtetën. Për vdekjen e saj u informuam nga mediat.

Prokuroria e Tivolit ka hapur një dosje hetimore e vijon punën për të zbardhur rrethanat e ngjarjes tragjike. Organi i akuzës urdhëroi që  viktimave t’iu bëhet autopsi për të zbardhur shkaqet e vdekjeve.