Aktualitet

15-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, urimi i ambasadës amerikane!

Ambasada amerikane ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

“15 Vite së Bashku” shkruan Ambasada në një postim në facebook shoqëruar dhe me një video të këtij momenti të rëndësishëm ku tregohet udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n që nga anëtarësimi në NATO. Ambasada thekson se vendi ynë ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri.

“15 Vite së Bashku: Udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n | Që nga anëtarësimi në NATO në 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!”, shkruan ambasada amerikane.

Më herët edhe presidenti Bajram Begaj  ndau një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare.

 “Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shkruan Begaj.

Më 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.