Lifestyle

A përhapet Covid-19 nga valët e muzikës? Sa e vërtetë është deklarata e ministrit Blendi Klosi?

Lajmi i ditës ka padyshim në qendër Ministrin e Turizmit, Blendi Klosi i cili në një intervistë të dhënë mbrëmjen e djeshme bëri një deklaratë në lidhje me përhapjen e Covid-19 që në fakt i habiti të gjithë.

Ai tha se virusi mund të përhapet nëpërmjet valëve të muzikës prandaj artistët të cilët performojnë live ende nuk mund të rinisin punën pasi shtojnë rrezikun e infektimit.

“Kjo pyetje i duhet bërë grupit të ekspertëve, të cilët gjykojnë se zonat me muzikë, dhe kjo është e vërtetuar shkencërisht kudo në botë, se valët e muzikës, janë ato që përçojnë (virusin) edhe në distanca, si ne të dy ku mund të mos kemi përçim (të virusit). Në distanca ku ka valë muzike, përhapja e virusit është shumë e madhe.” -u shpreh Klosi.

Megjithëse ministri është tallur për këtë deklaratë duke bërë që video e tij të marrë dhenë në rrjetet sociale, në fakt ekziston një eksperiment ku provohet nëse tingujt e muzikës e përhapin më tepër virusin. Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë së Shteteve të Bashkuara, po kryen studimet e para për të parë se sa potencial ka një këngëtar (i infektuar) që të transmetojë koronavirusin përmes aerosoleve ndërkohë që luan muzikë.

Një ndër provat e bëra në Universitetin e Kolorados konsistoi në vendosjen e disa muzikantëve në një dhomë me ajër të pastër ku ata luajtën me intrumente të ndryshme muzikore dhe kënduan me regjistër të ulët notash për të kuptuar se çfarë ndodh me ajrin. Rezultatet treguan se instrumentet prodhuan përqëndrim të ndryshëm të aerosoleve, disa përqëndrim më të lartë e disa më të ulët. Në rrjedhën e ajrit brenda dhomës së muzikantëve u vëzhguan me kujdes grimcat e ajrit.

Ekspertët theksuan se nuk ka një përgjigje përfundimtare sa i përket rrezikut të këndimit apo luajtjes së muzikës. Sigurisht, minimizimi i një virusi të tillë konsiston në kontrollin e frymëmarrjes. “Heshtja është më e sigurt se pëshpëritjet; pëshpërtitjet janë më të sigurta se të folurit; të folurit është më i sigurt se këndimi” -tha James Hamblin, fizikant dhe specialist i shëndetit publik.