Aktualitet Politikë

Gjiknuri i kalon Klosit detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së: Nuk ndjej braktisje!

Damian Gjiknuri i kalon Blendi Klosit detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i selisë rozë. Ndërsa Partia Socialiste po riorganizohet, Gjiknuri tha se PS reflekton edhe kur fiton. Gjiknuri tha se nuk ndihet i braktisur nga Rama. Po ashtu, shprehu gatishmërinë të japë llogari për inceneratorët nëse e thërret SPAK-u.

Së pari, nënkuptohet se befasia për disa e këtij lajmi, si dhe interesi që shkakton në rrjetet sociale nuk besoj se do të përbëjnë boshtin apo mendimin tim. Pas çdo procesi zgjedhor, ne i nënshtrohemi një procesi të ri analize. Nuk i quaj fare në ato terma që i quani ju.

Fundi i diçkaje është fillimi i diçkaje të re për mua. Vendimmarrjet duhen parë në efektet që sjellin në terma afatgjatë. Do të duhet shumë kohë për të kuptuar se çfarë të mirash sjell kjo vendimmarrje. Unë jam mësuar me këto akuza në përballjen time politike, si në opozitë ashtu dhe në pushtet.

Unë jam akuzuar gjithmonë. Jam akuzuar për 600 milion euro të ÇEZ-it. Unë bashkëpunova me drejtësinë edhe e vërteta doli ditën për diell. Nuk është hera e parë që akuzohem, por ka një drejtësi që i vlerëson këto gjëra, jo opinion publik që diversfikohet nga palë politike.

Ligji do të flasë të vërtetën. Personalisht nuk ndjej asnjëlloj braktisje. Jam në komunikim të vazhdueshëm më Ramën. Kemi një marrëdhënie të qëndrueshme pune. E respektoj vendimmarrjen e lidershipin e tij. Me pushtetin vjen dhe ekspozimi ndaj riskut.

Sa i përket hetimit, ky hetim ka vite që ka filluar. Unë nuk jam thirrur ndonjëherë. Në çdo moment që të më thërrasin do të jap llogari. Roli im ka qenë periferik. Kam bindjen se janë vepra në dobi të publikut. Elbasani është një impiant që funksionon.

I komanduar si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Klosi u pyet në lidhje me vendimin që do të marrë PS-ja për Arben Ahmetajn, në kërkim nga policia për aferën e inceneratorëve. Klosi tha se për çështjen Ahmetaj, vendimi do të merret në shtator.

Eshtë një pyetje që i takon grupit parlamentar, i cili padyshim që në mbledhjen e tij të parë në fillim të sezonit parlamentar do të marrë dhe vendime të plota për çështje që shqetësojnë e një ndër këto është edhe e Ahmetajt. Kam bindjen e thellë se në sërish do të fitojmë. Ne bëjmë ndryshime për të përmirësuar veten tonë.